Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.
Ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.
Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.
“Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” në Telegraf.
Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.
“Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa
Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.
“Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.
Mustafa tha se elektorati i LDK-së ka përvojë me procese të ngjashme ribashkimi, duke përmendur rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK në të kaluarën.
“LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.
Sipas Mustafës, bashkimi i Osmanit me LDK-në mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, sidomos tek votuesit e pavendosur dhe tek elektorati që nuk ka marrë pjesë në proceset e fundit zgjedhore.
Ai tha se LDK-ja do të fokusohet në ofertën programore dhe në zhvillimin ekonomik, duke tentuar të bindë qytetarët se “e djathta e bashkuar” është alternativa më e mirë për Kosovën.
Mustafa kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke insistuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe në Kuvend. /Telegrafi