“E adhuroj atë serial!” – pak minuta pasi hip në një taksi në Belfast International Airport, shoferi nis të flasë me entuziazëm për Derry Girls. Turistët që merr çdo ditë duan të diskutojnë për komedinë hit, dhe ai, si fans i zjarrtë, e vazhdon bisedën me kënaqësi.
Trafiku në një mëngjes të lagësht të martës duket i pazakontë për një qytet të vogël si Belfast. “Janë mediat,” bën shaka ai. Në fakt, qyteti është në qendër të vëmendjes: po zhvillohet premiera botërore e serialit të ri të Lisa McGee, How to Get to Heaven from Belfast – krijueses së “Derry Girls” – një tjetër dëshmi se si kryeqyteti i Irlandës së Veriut është kthyer në një vatër të rëndësishme të televizionit cilësor.
Nga periferi në qendër të vëmendjes
Për dekada me radhë, gjatë periudhës së konfliktit të njohur si “The Troubles”, prodhimet televizive që trajtonin Irlandën e Veriut shpesh censuroheshin ose realizoheshin jashtë vendit. Vetëm gradualisht filluan të shfaqeshin rrëfime më autentike për jetën e përditshme.

Një pikë kthese ishte krijimi i agjencisë shtetërore Northern Ireland Screen pas Marrëveshjes së së Premtes së Mirë në vitin 1998, me synim tërheqjen e prodhimeve ndërkombëtare.
Megjithatë, shumë seriale vendase nuk arrinin të depërtonin jashtë kufijve. “Njerëzit nuk e kuptonin gjuhën dhe humorin,” kujton producentja muzikore Catherine Grimes. Kjo ndryshoi me “Derry Girls”, i cili e vendosi Derry-n dhe më gjerë rajonin në hartën globale të kulturës pop.

Boom-i i serialeve
Sot, Belfast është kthyer në një qendër të prodhimeve prestigjioze. Mes tyre:
Blue Lights
Trespasses
The Lovers
Conversations with Friends (bazuar në romanin e Sally Rooney)
Malpractice
A Knight of the Seven Kingdoms, parathënie e “Game of Thrones”

Por ishte pikërisht Game of Thrones që e ngriti Belfastin në një nivel tjetër. Që nga viti 2010, seriali fitues i çmimeve Emmy u xhirua kryesisht në Titanic Studios dhe Linen Mill Studios, duke përfituar nga afërsia me bregdetin dhe peizazhet dramatike.
Suksesi solli miliona paund investime dhe një valë të re turizmi filmik. Pub-et e qytetit si The Duke of York dhe The Harp Bar dikur frekuentoheshin nga aktorë si Kit Harington dhe Emilia Clarke – por, siç thonë vendasit, në Belfast askush nuk trajtohet si më i rëndësishëm se tjetri.
Efekti Netflix dhe turizmi i ekranit
Seriali i ri i McGee, me aktorë si Roisin Gallagher dhe James Nesbitt, është xhiruar në vende ikonike të qytetit: vinçat e verdhë të Harland and Wolff, Lyric Theatre, Grand Central Hotel Belfast dhe klubi Limelight.

Jashtë qytetit, zona si Carnlough në bregdetin Antrim po përjetojnë rritje të vizitorëve falë skenave të xhiruara aty – një fenomen i njohur tashmë si “screen tourism”. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm “Game of Thrones” injektoi rreth 251 milionë paund në ekonominë lokale.
Një identitet i ri kulturor
Industria televizive ka krijuar qindra vende pune dhe ka sjellë investime të mëdha nga BBC dhe platforma ndërkombëtare. Por, përtej shifrave, ajo që theksojnë profesionistët vendas është atmosfera bashkëpunuese dhe autenticiteti i rrëfimeve.

“Ne kemi histori universale për të treguar, të formuara nga një histori unike,” thotë Grimes. “Dhe, pavarësisht së kaluarës së dhimbshme, humori ynë mbetet i pakrahasueshëm.”
Dikur vend ku puna në televizion shihej me skepticizëm, sot Belfasti është kthyer në një qendër të rëndësishme të dramës evropiane. Qyteti që për vite ishte i izoluar nga vizitorët, tani e shfaq me krenari fytyrën e tij krijuese para botës. /GazetaExpress/