string(85) "be-paralajmeron-liste-me-kundermasa-ndaj-shba-se-nese-deshtojne-bisedimet-per-tarifat"

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 15:56

BE paralajmëron “listë me kundërmasa” ndaj SHBA-së nëse dështojnë bisedimet për tarifat

Lajme

Gazeta Express

02/06/2025 15:56

Pas vendimit të papritur të administratës Trump për të vendosur një tarifë 50% ndaj importeve të çelikut, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se është duke përgatitur kundërmasa tregtare ndaj Shteteve të Bashkuara nëse nuk arrihet një marrëveshje për tarifat.

Sipas Associated Press, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, ka deklaruar të hënën në një konferencë për shtyp se “në rast se negociatat nuk çojnë në një rezultat të balancuar, BE është e përgatitur të vendosë kundërmasa, përfshirë edhe si reagim ndaj kësaj rritjeje të fundit të tarifave.”

Ai ka shtuar se BE-ja po finalizon një “listë të zgjeruar të kundërmasave” që do të hyjë automatikisht në fuqi më 14 korrik, ose edhe më herët, nëse bisedimet dështojnë. Datë që shënon edhe përfundimin e një pauze 90-ditore, e cila u vendos për të lehtësuar dialogun tregtar mes dy palëve. Por në mes të kësaj periudhe, Trump vendosi një tarifë të re, duke rritur tensionet.

Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Presidenti Trump kishin rënë dakord javën e kaluar të përshpejtojnë bisedimet, por rreziku për përshkallëzim tarifor mbetet i lartë. Bëhet e ditur se bisedimet do të vijojnë të mërkurën në Paris, ku kryenegociatori evropian Maros Sefcovic do të takohet me përfaqësuesin amerikan për tregtinë, Jamieson Greer.

Kujtojmë se BE i ka ofruar SHBA-së një marrëveshje “zero për zero” për eliminimin e ndërsjellë të tarifave për mallrat industriale, përfshirë automjetet – por kjo është hedhur poshtë nga Trump, edhe pse BE thotë se oferta mbetet në tavolinë.

Ndërsa, tarifat e reja të shpallura të premten ngjallën frikën e një rritjeje të madhe çmimesh për mallra që variojnë nga makinat dhe pajisjet shtëpiake deri te produktet ushqimore, pasi çeliku është material bazë në shumë sektorë të ekonomisë dhe konsumit të përditshëm.