Bashkimi Europian ka nisur bartjen e mjeteve nga Plani i Rritjes për Kosovën prej 61.8 milionë eurosh, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Kosova është vendi i fundit në rajon që pranon këto mjete për shkak të mungesës së institucioneve vitin e kaluar nga bllokada politike.
“Pas ratifikimit në Kuvend të Kosovës të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën përmes Instrumentit për Reforma dhe Rritje sipas Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor, duke i dhënë kështu një stimul të rëndësishëm avancimit të reformave”, tha ZKM në njoftim.
Parafinancimi përfaqëson 7% të totalit prej 882.6 milionë eurosh grante dhe kredi të favorshme në dispozicion të Kosovës në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike deri në fund të vitit 2027.
Këto mjete do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF), duke e afruar edhe më shumë Kosovën me BE-në, tha ZKM.
Prej 61.8 milionë eurove, sot në buxhetin e Kosovës janë bartur 28.74 milionë euro kredi, ndërsa shuma e mbetur – 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) – do të kanalizohet përmes ËBIF-it, thuhet në njoftim.
“Në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor. Secili hap i reformave është i ndërlidhur me një alokim specifik financiar. Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”.
Afati i parë përfundimtar i pret 13 hapa të reformave që së bashku kapin vlerën prej 90.8 milionë eurosh, të cilat priten deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar për 27 hapa të tjerë të reformave që kapin vlerën prej 165.9 milionë eurosh.
“Bashkimi Evropian qëndron përkrah Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së. Përmes kësaj përkrahje, BE-ja synon t’i ndihmojë Kosovës të forcojë sundimin e ligjit, të avancimin e tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital, si dhe të nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike”, u shpreh shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është e përkushtuar për zbatim në kohë të Agjendës së Reformave, si dhe për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga Plani për Rritje Ekonomike.
“Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona. Kjo është detyrë e vështirë, por e arritshme”, tha Kurti.
Kjo pako e BE’së për Ballkanin Perëndimor ka afat të caktuar implementimi dhe Kosova ishte në rrezik të humbiste për shkak të krizave politike të vitit të kaluar.
ZLM shtoi se BE-ja është ofruesi më i madh i asistencës financiare dhe partneri më i besueshëm i Kosovës, me më shumë se 3.7 miliardë euro grante të investuara në mbarë sektorët që nga viti 1999, dhe 421 milionë euro shtesë në grante të IPA-s (Instrumenti i BE-së për Ndihmën e Para-anëtarësimit) aktualisht në dispozicion të Kosovës. Veç kësaj, përmes Planit për Rritje Ekonomike, BE-ja vazhdon të përkrahë përpjekjet e Kosovës për reforma dhe përparimin e vendit në rrugën drejt integrimit europian.
Reisebüro Prishtina vazhdon të ofrojë fluturime të rregullta drejt destinacioneve kryesore evropiane. Fluturimet në linjën Berlin – Prishtinë, si...