Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar edhe sot lidhur me kontratat e ndërmarrjes shtetërore MEPSO dhe drejtorit të saj, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe dëmin e mundshëm financiar ndaj shtetit. Sipas BDI-së, drejtori Burim Latifi dhe MEPSO kanë lidhur dy kontrata brenda të njëjtës ditë me kompaninë “Elnos BL” nga Republika Srpska, duke thelluar bashkëpunimin me këtë subjekt. BDI vlerëson se kjo situatë hap dilema serioze mbi procedurat dhe mënyrën e realizimit të këtyre marrëveshjeve, transmeton Portalb.mk.
Partia kërkon nga Latifi që të publikojë vendimin fillestar të organit kompetent, përmes të cilit, sipas tyre, ndërmarrja ka humbur një kontest shumëmilionësh në dëm të shtetit. Ata theksojnë se deri më tani nuk ka pasur mohim nga ana e MEPSO-s dhe subjektit VLEN për lidhjet e kompanive “Elnos BL” dhe “Kodar Elektromontazha” me figura politike si Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq.
Sipas tyre, tenderi i fundit është fituar nga një konsorcium i udhëhequr nga kompania kroate “Dalekovod”, e cila njihet për përvojën e saj ndërkombëtare dhe standardet evropiane të operimit. Megjithatë, sipas BDI-së, mbetet e paqartë roli i kompanive të tjera në këtë konsorcium dhe nëse mungesa e sqarimeve është e qëllimshme.
“Burim Latifi dhe MEPSO, në të njëjtën ditë kanë lidhur jo një, por dy kontrata me këtë kompani, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën dhe transparencën e këtij bashkëpunimi. BDI kërkon nga Latifi që të publikojë në mënyrë të hapur dhe transparente vendimin fillestar të organit kompetent, përmes të cilit ndërmarrja ka humbur një kontest shumëmilionësh në dëm të shtetit. Në komunikimet e deritanishme të MEPSO-s dhe subjektit VLEN, nuk është mohuar asnjëherë lidhja që kompanitë pjesë e konsorciumit “Elnos BL” dhe “Kodar Elektromontazha” kanë me figura si Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq. Si mbrojtje, ata theksojnë se tenderi i ri është fituar nga një konsorcium i udhëhequr nga kompania kroate “Dalekovod”, e njohur për përvojën e saj ndërkombëtare dhe operimin sipas standardeve më të rrepta evropiane”, thonë nga BDI.
BDI gjithashtu thekson se kanë kaluar pesë ditë pa një prononcim nga Latifi lidhur me pretendimet se kontratat me kompaninë nga Republika Srpska kanë shkaktuar një dëm prej rreth 6 milionë eurosh. Në fund, ata kërkojnë që organet kompetente, përfshirë prokurorinë, të hetojnë të gjitha aspektet e rastit, duke e cilësuar çështjen si një barrë financiare që bie mbi qytetarët.
“Është dita e pestë dhe Burim Latifi hesht dhe nuk është pronocuar se pse kontratat e tij me kompaninë nga Republika Srpska çuan në një dëm prej 6 milion euro. Prokuroria përkatëse e vendit duhet ta hetojë çdo detaj. Bëhet fjalë për shuma milionëshe që bien në kurriz të qytetarëve”, thonë nga BDI.
BDI prej disa ditësh radhazi ka denoncuar rastin e MEPSO-s, duke akuzuar drejtorin Burim Latifi për mungesë transparence dhe për një dëm të pretenduar prej rreth 6 milionë eurosh, ndërsa vazhdimisht ka kërkuar hetim institucional dhe përgjegjësi publike për këtë çështje . Në anën tjetër, koalicioni VLEN i është kundërpërgjigjur këtyre akuzave, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe duke akuzuar BDI-në për hipokrizi në raport me projektet energjetike
tag_katrorimaqedoni_2