Idetë rreth asaj se çfarë kanë ngrënë paraardhësit tanë shpesh keqinterpretohen, veçanërisht nga promovues të trendeve moderne si “dieta karnivore”, që sugjeron se njerëzit duhet të konsumojnë vetëm mish, vezë dhe yndyrë, duke përjashtuar plotësisht perimet, frutat, drithërat dhe ushqimet e tjera bimore.
Por sipas një analize të publikuar nga BBC Science Focus, ideja se njerëzit e lashtë ishin vetëm mishngrënës është një mit, i cili ka lindur për shkak të boshllëqeve në të dhënat arkeologjike. Kockat e kafshëve dhe mjetet prej guri mbijetojnë për mijëra vjet, ndërsa mbetjet bimore shpërbëhen shpejt. Kjo ka krijuar një “përqendrim të rremë” në gjueti dhe mish në të dhënat e hershme shkencore.
Çfarë tregojnë studimet moderne?
Sot, falë analizës së izotopeve në kocka dhe smaltin e dhëmbëve, si dhe mikroskopisë së gurmazit dentar (pllakës së dhëmbëve), arkeologët mund të përcaktojnë me saktësi më të madhe se çfarë kanë konsumuar paraardhësit tanë. Rezultatet tregojnë një pamje të ndryshme nga ajo që predikon dieta karnivore.
Në Marok, rreth 15,000 vjet më parë, gjahtarët-mbledhës konsumonin kryesisht bimë, si zokë, gjembaçë, gështenja dhe drithëra të egra. Studime të ngjashme në komunitetet indigjene të sotme, si Tsimané në Amazonë apo Aborigjenët australianë, tregojnë se pjesa më e madhe e kalorive të tyre vjen nga bimët – përfshirë banane, maniok, arra dhe rrënjë të ngrënshme.
E vërteta për “dietën paleolitike”
Në realitet, nuk ka ekzistuar një “diete e vetme paleo”. Paraardhësit tanë kanë jetuar në zona të ndryshme klimatike dhe gjeografike – nga xhunglat tropikale te Arktiku – dhe ushqimi i tyre ka reflektuar këtë diversitet.
Në Sri Lanka ata hanin fruta dhe arra, ndërsa Inuitët konsumonin yndyrë nga fokat dhe balenat. Ajo që është e sigurt është se ushqimi ka qenë i shumëllojshëm dhe i lidhur ngushtë me natyrën përreth.
Ndryshimet përmes kohës
Edhe nëse dikush do të përpiqej të “kthehej” në një dietë si ajo e paraardhësve, do të ishte e pamundur. Ushqimet e atëhershme ishin shumë të ndryshme nga ato të sotmet. Shembull: pjeshkët e tyre ishin sa një qershi, bananet kishin shumë fara dhe karrotat ishin të bardha apo vjollcë, jo portokalli.
Ndërkohë, edhe njerëzit janë përshtatur. Popullsitë që kanë konsumuar qumësht për shekuj me radhë kanë zhvilluar aftësinë për të tretur laktozën, ndërsa ato që kanë ngrënë shumë ushqime me niseshte kanë më shumë enzima për përpunimin e saj.
Cila është mësimi për sot?
Problemet shëndetësore të sotme nuk lidhen me konsumimin e bimëve, por me mungesën e diversitetit në dietën moderne dhe mbështetjen e tepërt në ushqime të përpunuara si buka e bardhë, orizi dhe ushqimet e rafinuara. Dieta tradicionale e paraardhësve, që ishte e pasur me fibra, fara, arra dhe perime të egra, ishte shumë më e shëndetshme për sistemin tretës dhe organizmin në përgjithësi.