string(92) "batatina-jep-premtim-te-madh-vetem-zoti-me-largon-nga-llapi-pa-e-fituar-titullin-e-kampionit"

Sport

Gazeta Express

23/05/2025 20:44

Batatina jep premtim të madh: Vetëm Zoti më largon nga Llapi pa e fituar titullin e kampionit

Sport

Gazeta Express

23/05/2025 20:44

Trajneri i mirënjohur kosovar, njëherësh trajner i Llapit, Tahir Batatina ka lëshuar një komunikatë, pas humbjes së mbrëmshme ndaj Prishtinës, në finalen e Kupës së Kosovës.

Batatina në ‘letrën’ e tij drejtuar qytetarëve të Podujevës dhe tifozoëve “Legjendat”, është shprehur falënderues ndaj përkrahjes së tyre.

“Ju treguat se si mbështetet klubi i zemrës përplot 90 minuta. Ishit të mrekullueshëm dhe na dhatë zemër me përkrahjen tuaj. Kërkoj ndjesë, sepse mbrëmë luajtëm futboll të bukur dhe ishim më të mirë në fushë, por fatkeqësisht nuk morëm atë që e merituam.

Jam thellësisht mirënjohës për përkrahjen tuaj ndër vite — për besimin që më keni dhënë mua si trajner, drejtuesve të klubit dhe vetë Llapit, klubit të zemrës tuaj.

I emocionuar pafund isha edhe nga koreografia juaj madhështore, që na preku të gjithëve. Mbajeni mend atë moment dhe mendoni për sfida edhe më të mëdha, sepse unë ju premtoj: çdo sfidë më forcon edhe më shumë për të vazhduar rrugëtimin me krenari, për t’ju bërë edhe më krenarë!

Pas ngjitjes në Superligë si kampion pas 12 vitesh në Ligën e Parë, për pesë vite ishim të qëndrueshëm mes më të mirëve — dhe gjatë kësaj periudhe fituam dy Kupa të Kosovës dhe një Superkupë. Bashkë kemi shkruar historinë e klubit tonë me trofe!”, ka thënë Batatina në një pjesë të shkrimit të tij, të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Batatina më tutje i bëri me dije tifozëve se nuk do të largohet nga Llapi, pa e arritur titullin e kampionit.

“Ju siguroj se Llapi do të vazhdojë të jetë një superfuqi në futbollin kosovar për shumë vite me radhë. Vetëm Zoti mund të më largojë nga ky klub, para se t’ia sjell titullin kampion, të cilin e kemi merituar tashmë me kohë”, shtoi Batatina.

Më tutje, Batatina shprehet se Llapit ka disa “armiqë”, megjithatë thotë se do t’i bëjë ballë edhe atyre.  

“Tani e kam kuptuar sa shumë armiq ka pasur Llapi ndër vite, por bashkë do t’i përballojmë të gjithë! Do të sjellim jo vetëm titullin, por edhe shumë trofe të tjerë në Podujevë!”, ka shkruar Batatina.

Llapi u mposht 1-0 në finalen e Kupës së Kosovës nga Prishtina, e cila u luajt mbrëmë në “Fadil Vokrri”.

Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Albin Krasniqi.

Për më shumë se gjysmë ore, Llapi i Tahir Batatinës luajti me një lojtar më pak, pas ndëshkimit me të kuq të Arbnor Ramadanit./GazetaExpress/