Bashkimi pas fitores shumë të rëndësishme përballë Anwil-it, do ta mundohet që për herë të parë të jetë pjesë e grupeve në FIBA Europe Cup.
Për ta arritur suksesin historik për klubin më të vjetër në Kosovë, prizrenasit duhet që sonte ta ruajnë epërsinë e pikëve nga fitorja e parë.
Sfida në Prizren përfundoi 80:75 për Portokallezinjtë, derisa në grupe do të hyjë skuadra që është më e mirë nga dy ndeshjet.
Nënkampionët për herë të parë janë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, ndërsa nëse kalojnë pengesën në Poloni, atëherë do t’i bashkoheshin kampiones së Kosovës, Trepçës, si dhe PAOK-ut të Greqisë dhe Braunschweig të Gjermanisë në Grupin F.
Anwil është një nga skuadrat më të forta polake në vitet e fundit, ku para dy vitesh kishte triumfuar në FIBA Europe Cup, kurse edicionin e kaluar ishte ndalur në Raundin e 1/16-tes.
Ndeshja do të luhet sonte në Poloni nga ora 18:30 dhe transmetohet në faqen e YouTubes në FIBA. /Gazeta Express