Barcelona i hynë rrugëve ligjore, pas konferencës së jashtëzakonshme të Perezit - Gazeta Express
string(78) "barcelona-i-hyne-rrugeve-ligjore-pas-konferences-se-jashtezakonshme-te-perezit"

Futboll

Gazeta Express

12/05/2026 23:15

Barcelona i hynë rrugëve ligjore, pas konferencës së jashtëzakonshme të Perezit

Futboll

Gazeta Express

12/05/2026 23:15

Barcelona ka njoftuar se po shqyrton ndërmarrjen e veprimeve ligjore pas konferencës për shtyp të Presidentit të Real Madridit, Florentino Perez.

Ai shpalli zgjedhjet te Real Madridi, por gjithashtu bëri të ditur se “Los Blancos” do t’i dorëzojnë UEFA-s një dosje mbi çështjen Negreira, për shkak të mungesës së veprimit nga autoritetet në Spanjë.

Aktualisht, Barcelona akuzohet për korrupsion sportiv në Spanjë, pas zbulimit të pagesave ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit të Arbitrave, Jose Maria Enriquez Negreira, gjatë një periudhe prej 17 vitesh.

Pagesat arrijnë në rreth 7-8 milionë euro, por Barcelona ka mohuar çdo keqbërje. Çështja ndodhet aktualisht në fazën paraprake të gjykimit, ku po mblidhen dëshmi, por Perez njoftoi se Real Madridi do të kërkojë veprim nga UEFA.

“Tre vite më parë mësuam për çështjen Negreira. Skandali më i madh në histori. Ata kanë paguar për dy dekada, ndërsa tani janë po të njëjtët arbitra edhe për këtë dekadë të tretë. Ne do t’i paraqesim UEFA-s një dosje të konsiderueshme që ata ta trajtojnë këtë në rrënjë dhe ta zgjidhin çështjen për të mirën e futbollit botëror.”

Perez vazhdoi duke iu referuar LaLigës si “armiku ynë i përhershëm”, para se të zbulonte se dosja që do t’i dërgohet UEFA-s është 500 faqe.

“Sigurisht, është edhe armiku ynë i përhershëm, LaLiga. Ne do të luftojmë. Unë po luftoj kundër të gjithëve. Korrupsioni sistematik i çështjes Negreira… Si mund ta harrojmë thjesht? Po përgatisim një dosje prej 500 faqesh që do t’ia dërgoj UEFA-s sapo të përfundojë sezoni. Tashmë kam folur me ta. Nuk ka precedent për këtë në historinë e futbollit botëror. Është rasti më i madh i korrupsionit ndonjëherë.”

Real Madridi së fundmi ka përmirësuar marrëdhëniet me UEFA-n pas përfundimit të çështjes së Superligës.

“Ne fituam me Superligën në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian dhe tani po negociojmë me UEFA-n. Ne duam futboll të lirë, që fëmijët në Afrikë të mund ta shikojnë futbollin falas, siç bëjnë me Kupën e Botës për Klube. Kjo nuk është vetëm për Real Madridin, është për të mirën e futbollit. UEFA e ka kuptuar këtë dhe po bëjmë përparim në mënyrë shumë pozitive.”

Në vitin 2024, Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të klubit se skuadra si Barcelona dhe Real Madridi “duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën”. Kur u pyet për atë koment, ai pretendoi gabimisht se kjo kishte ndodhur pas zbulimeve të çështjes Negreira.

“Kjo ishte shumë kohë para çështjes Negreira. Ne e mësuam vetëm së fundmi; nuk mund ta imagjinonim që kreu i arbitrave po merrte para nga Barcelona për dy dekada. Kjo çështje doli në dritë vonë. Që atëherë kemi përpiluar një dosje dhe do të shkojmë deri në fund të saj. Është rasti më i madh i korrupsionit në historinë e futbollit. Për të mirën e futbollit. Askush në botë nuk do ta mendonte asnjëherë të paguante arbitrat. Është e paimagjinueshme.”

“Ne kemi mbetur duarbosh dhe unë kam qenë këtu nuk e di sa sezone dhe kam fituar vetëm shtatë Liga të Kampionëve dhe shtatë tituj kampionë, të cilët mund të kishin qenë 14 sepse m’i kanë vjedhur. Kemi bërë një video për 18 pikët që na i kanë marrë këtë sezon. Nuk mund të hesht për këtë. Nuk dua të më lavdërojnë gjithë ditën, por kjo komplot mes disa njerëzve te SER, të tjerëve te COPE… Jo, kjo nuk mjafton.”

Perez theksoi se ka mbështetjen e anëtarëve të Real Madridit në betejën kundër Negreira “dhe të tjerëve”, megjithëse nuk specifikoi se kujt po i referohej.

“Anëtarët e Real Madridit janë me mua në luftën time kundër Negreiras dhe të tjerëve. Nuk është gjithmonë Real Madridi që vuan; edhe skuadrat e tjera vuajnë. Barça përfiton gjithmonë. UEFA do të përfshihet në këtë çështje, do të përfshihet. Është e papranueshme që ata janë nën dyshime për korrupsion të paguar për më shumë se 20 vite. Do të shohim çfarë do të ndodhë si në aspektin penal ashtu edhe në atë sportiv me UEFA-n. Dhe do të shohim çfarë ndodh. UEFA ka rënë dakord që ne t’ia dërgojmë të gjithë dosjen. Nuk erdha këtu që arbitrat të pasurohen me paratë e Barcelonës. Erdha këtu për të luftuar.”

Në një deklaratë të publikuar menjëherë pas konferencës së Perezit, Barcelona njoftoi se departamenti i saj ligjor po shqyrton ndërmarrjen e veprimeve ligjore pas deklaratave dhe akuzave të tij. Gjatë gjithë çështjes Negreira, Barcelona ka këmbëngulur se pagesat ishin për konsulencë dhe raporte vëzhgimi mbi arbitrat./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement