Bajrami: VV s’e shpalli Listën Serbe organizatë terroriste kur u vra Afrim Bunjaku e tash provojnë të luajnë patriotin - Gazeta Express
string(116) "bajrami-vv-se-shpalli-listen-serbe-organizate-terroriste-kur-u-vra-afrim-bunjaku-e-tash-provojne-te-luajne-patriotin"

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 13:59

Bajrami: VV s’e shpalli Listën Serbe organizatë terroriste kur u vra Afrim Bunjaku e tash provojnë të luajnë patriotin

Lajme

Gazeta Express

26/06/2025 13:59

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i është përgjigjur deputetit të Vetëvendosjes, Hekuran Murati, i cili akuzoi PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se “presin dhe shpresojnë” të bashkëpunojnë me Listën Serbe.

Murati tha se “vetëm” partia e tij është pro që postin e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb ta ketë dikush që s’është i Listës Serbe.

Por, Bajrami në përgjigje tha se Vetëvendosje sa herë “që i vjen erë korrupsion” tenton ta luajë patriotin duke i paraqitur të tjerët se janë me Serbinë.

Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka pasë shansin që Listën Serbe ta shpallë organizatë terroriste pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku, por se nuk e ka bërë këtë.

“Shihni hipokrizinë e Hekuran Muratit. I paska quajtur partitë shqiptare parlamentare bashkëpunëtore të Listës Serbe, ndërkohë që njërës prej tyre – LDK-së pesë herë në ditë i çojnë fjalë: “A po vjen me bashkëqeverisë”. Në anën tjetër, Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje e ka pasur një shans të artë për ta shpallur Listën Serbe organizatë terroriste pas sulmit në Banjskë ku ra dëshmor Afrim Bunjaku, por nuk e ka bërë një gjë të tillë, sepse të gjithëve na kujtohen incizimet e shefes së grupit, Mimoza Kusari, duke u koordinuar për pagat e veteranëve me Listën Serbe “Allo brate””.

“Dhe e fundit, tashmë të gjithë e kanë të qartë se sa herë që i vjen erë korrupsion krejt Lëvizjes Vetëvendosje, ata provojnë me  luajt ”patriotin”, kinse të tjerët janë me Serbinë. Tregona Hekuran, si ndodhi që në qeverinë tuaj EFT-ja e Vuk Hamoviqit i monopolizoi të gjitha linjat e transmetimit të energjisë: Mal i Zi – Kosovë, Maqedoni e Veriut – Kosovë, dhe anasjelltas? Dhe si ka mundësi që Kosova ka paguar deri në 798.32 Euro për transportin  një  MËh energji elektrike? The floor is yours, “patriot””, ka shkruar Bajrami.

Murati tha se i kanë ftuar partitë tjera që ta zgjedhin një përfaqësues për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb dikë që nuk vjen nga Lista Serbe.

I vetmi deputet serb në Kuvend që s’është i Listës Serbe është Nenad Rashiq – ministër në detyrë aktualisht në Qeverinë Kurti.

“Por deri më tani nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje pozitive nga PDK/LDK/AAK për këtë çështje. Besoj që qëndrimi për temën e nënkryetarit e tregon më së miri se cilat parti ende presin dhe shpresojnë për bashkëpunim me Listën Serbe, e ato janë PDK/LDK/AAK”, ka thënë Murati./Express/