Avokati serb pasi Vuçiq sulmoi Perëndimin: Politikat e vetëizolimit po e çojnë Serbinë drejt katastrofës - Gazeta Express
string(103) "avokati-serb-pasi-vuciq-sulmoi-perendimin-politikat-e-veteizolimit-po-e-cojne-serbine-drejt-katastrofes"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 8:00

Avokati serb pasi Vuçiq sulmoi Perëndimin: Politikat e vetëizolimit po e çojnë Serbinë drejt katastrofës

Lajme

Gazeta Express

05/08/2025 8:00

Avokat i njohur serb, Cedomir Stojkovic, ka reaguar ashpër ndaj politikave që e çojnë Serbinë drejt izolimit ndërkombëtar, duke theksuar se vetëizolimi është forma më e rrezikshme e shkatërrimit të vendit.

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë, Stojkovic u shpreh se “çdo politikë që çon drejt izolimit të Serbisë është politikë e shkatërrimit, dhe ndër to më shkatërrimtare është politika e vetëizolimit”.

Sipas tij, vetëizolimi manifestohet përmes krijimit të një atmosfere që ndalon lidhjen dhe bashkëpunimin e njerëzve, veçanërisht në raport me Perëndimin dhe fqinjët në rajon. Ai theksoi se kjo përfshin:

    Krijimin e animozitetit ndaj Perëndimit,

    Nxitjen e tensioneve me vendet fqinje,

    Viktimizimin e vazhdueshëm për ndërhyrjen e NATO-s,

    Ankesat për bashkëpunimin më të mirë të të tjerëve me Perëndimin,

    Ushqimin e urrejtjes ndaj Perëndimit për shkak të dënimit të agresionit serb.

“Vetëm njerëz jashtëzakonisht të marrë mund ta çojnë vendin në këtë lloj vetëizolimi të rrezikshëm,” deklaroi ai.

Reagimi pas deklaratave të Vuçiqit dhe Dodikut

Reagimi i Stojkovic vjen pas një vale të re retorike të ashpër anti-Perëndimore nga krerët politikë serbë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe lideri i Republikës Srpska, Milorad Dodik, shfrytëzuan përvjetorin e Operacionit “Stuhia” për të sulmuar Perëndimin, duke i akuzuar për mbështetje të spastrimeve etnike dhe përhapje të propagandës kundër serbëve.

Në një tubim të organizuar nga autoritetet serbe, Vuçiq deklaroi se Perëndimi ka ndërtuar një narrativë ku serbët paraqiten si “barbarë dhe horra që duhet mposhtur”.

“Turp për ju bastardë,” tha Vuçiq, duke akuzuar liderët perëndimorë për hipokrizi dhe gënjeshtra të vazhdueshme ndaj Serbisë. Ai shtoi se Serbia nuk do të lejojë më asnjë “Stuhi” kundër popullit serb.

Nga ana tjetër, Milorad Dodik deklaroi se Operacioni “Stuhia” ishte një spastrim etnik “ashtu siç donin amerikanët”. Ai shtoi se “Bosnja nuk është shteti im”, duke kërkuar një bashkim më të fortë të serbëve të Bosnjës me Serbinë.

“Ne nuk mund të jetojmë me ata që duan të na dëbojnë,” theksoi Dodik, duke bërë thirrje për një “ofensivë politike” për të mbrojtur interesat serbe në rajon.

Të dy udhëheqësit paraqitën veten si mbrojtës të kombit serb përballë, siç e quajtën ata, “presioneve perëndimore dhe kërcënimeve historike”.