Mikel Arteta ka konfirmuar se Kai Havertzi dhe Martin Odegaardi janë të dy në dispozicion për ndeshjen e kthimit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe Atletico Madridit.

Odegaardi e nisi ndeshjen e parë si titullar, por u zëvendësua herët në pjesën e dytë, përpara se të mungonte në fitoren 3-0 ndaj Fulhamit të shtunën.
Ndërkohë, Havertzi ka munguar në dy ndeshjet e fundit të “Topçinjve” pasi pësoi një dëmtim gjatë fitores 1-0 ndaj Newcastle Unitedit.

Megjithatë, të dy mund të rikthehen në formacionin titullar në “Emirates” të martën, teksa Arsenali synon të arrijë finalen e parë të Championsit që nga viti 2006.
“Janë në dispozicion, të dy janë në skuadër,” konfirmoi Arteta në konferencën për shtyp para ndeshjes.
“Është shumë mirë. Na duhen opsione, na duhet kapaciteti për të luajtur ndeshje të ndryshme nesër, qoftë nga fillimi apo gjatë lojës. Është një lajm shumë, shumë i mirë për ne që i kemi të dy sërish”, shtoi ai.
Megjithatë, Arsenali do të jetë ende pa Jurrien Timber, pasi fundi i sezonit për të vazhdon të jetë zhgënjyes.
Rikthimi i Havertzit mund t’i krijojë Artetës një dilemë në repartin ofensiv, duke pasur parasysh formën e shkëlqyer të Viktor Gyokeresit në javën e fundit.
Suedezi shënoi golin e Arsenalit në ndeshjen e parë nga penalltia dhe realizoi dy gola në fundjavë kundër Fulhamit.
Bukayo Saka gjithashtu shkëlqeu kundër Fulhamit dhe pritet të jetë titullar sërish të martën, pasi u zëvendësua në pushimin e pjesës së parë të shtunën për të menaxhuar rikthimin e tij nga dëmtimi.
Duke folur për gjendjen e Sakas, Arteta shtoi: “Shkëlqyeshëm, kjo është ajo që na duhet në këtë fazë të garës – lojtarët jo vetëm të jenë në dispozicion, por edhe në formë optimale për të performuar dhe për të bërë diferencën, dhe Bukayo sigurisht që do të na japë këtë”./GazetaExpress/