Mikel Arteta ka konfirmuar se Arsenali është “aktivisht në kërkim” të një përforcimi të minutës së fundit në afatin kalimtar të janarit, pas dëmtimit të Mikel Merinos.
Pritej që dita e fundit e merkatos të ishte e qetë në “Emirates Stadium”, me Arsenalin që shpenzoi shumë gjatë verës dhe pa ndonjë nevojë të dukshme këtë muaj.
Por Merino tani do të mungojë për një periudhë të gjatë për shkak të një dëmtimi në këmbë, pasi kontrollet me një specialist zbuluan se ai ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.
Duke qenë se Arsenali e ka lejuar tashmë Ethan Nwanerin të largohet në huazim te Marseille, opsionet në mesfushë janë reduktuar. Dhe Arteta thotë se klubi është i hapur për një lëvizje të vonshme nëse shfaqet mundësia e duhur.
I pyetur nëse dëmtimi i Merinos ka ndryshuar mendimin e Arsenalit për planet e transferimeve, Arteta u shpreh:
“Sigurisht. Kur humb një lojtar të rëndësishëm si ky në skuadër, me katër muaj të mbetur dhe gara të tjera për të luajtur, duhet të shikosh. Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parë nëse ka një lojtar të disponueshëm. Nëse jo, në rregull, vazhdojmë me atë që kemi. Në këtë nivel, sidomos për katër muaj, duhet të sjellësh një lojtar që ka aftësinë të përshtatet menjëherë dhe të ndikojë te skuadra. Kjo nuk është e lehtë, por nëse do të ishte e lehtë, nuk do të ishim këtu. Duhet të gjejmë zgjidhje dhe të provojmë”, tha ai.
Trajneri i Arsenalit vazhdoi: “Tani kemi më shumë thellësi, por për shtatë muaj nuk e kemi pasur këtë thellësi sepse kemi pasur lojtarë të dëmtuar, si shumë ekipe. Ne i dimë kërkesat dhe standardet që na duhen. Na duhen lojtarë sepse luajmë çdo dy ose tre ditë. Ne jemi gjithmonë aktivë në çdo afat kalimtar, për çdo rast. Patëm edhe largimin e Ethanit drejt Marseille, për arsyet e duhura, besoj, për klubin, lojtarin dhe ekipin. Lajmi për Mikelin ishte shumë i papritur, sidomos për një periudhë kaq të gjatë. Kështu që po i shikojmë aktivisht opsionet dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.
I pyetur nëse do të ishte i qetë nëse Arsenali nuk do të bënte ndonjë përforcim, Arteta tha: “Nuk do të thosha i qetë. Jemi duke u marrë me këtë çështje. Është përgjegjësia jonë, kur po luftojmë për objektivat që kemi, t’i japim vetes mundësinë më të mirë duke parë tregun, çdo opsion, duke i vlerësuar dhe më pas duke marrë një vendim nëse është e mundur të bëjmë diçka”.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Alex Oxlade-Chamberlain, aktualisht po stërvitet me skuadrën U21 të klubit dhe Arteta nuk e përjashtoi mundësinë e nënshkrimit me 32-vjeçarin si lojtar i lirë.
“Ne eksplorojmë çdo opsion,” tha Arteta, duke buzëqeshur.
Meqë Oxlade-Chamberlain aktualisht nuk ka klub, Arsenali nuk do të kishte nevojë të përfundonte ndonjë marrëveshje për të para mbylljes së merkatos.
Arsenali gjithashtu është në bisedime me Hearts për një huazim të sulmuesit adoleshent James Wilson, megjithatë ai do t’i bashkohej akademisë dhe jo ekipit të parë.
Sa i përket largimeve, Oleksandr Zinchenko i është bashkuar Ajaxit, ndërsa mbrojtësi i ri shqiptar Maldini Kacurri ka kaluar te Grimsby Town në League Two me transferim të përhershëm./GazetaExpress/