Arsenali e ka mposhtur 1-0 Newcastle Unitedin në Premierligë, duke rikthyer shpresat për titull pas më shumë se 20 vitesh pritje.
Goli vendimtar erdhi në “Emirates”, kur Eberechi Eze realizoi një goditje të bukur me të majtën pas një aksioni të organizuar nga Kai Havertz, duke e dërguar topin në këndin e sipërm të portës.
Arsenali e nisi ndeshjen me presion, me Ezen që paralajmëroi herët me një goditje nga distanca.
Newcastle u përpoq të përgjigjej përmes Sandro Tonali, i cili testoi portierin David Raya me një goditje të fuqishme nga 30 metra.
Megjithatë, ndeshja mori një kthesë të keqe për “Topçinjtë” kur Eze u dëmtua pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, duke shtuar shqetësimet për trajnerin Mikel Arteta, veçanërisht me gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve që po afron.
Në vazhdim, Gabriel Martinelli u përpoq të mbyllte ndeshjen, por goditja e tij u ndal nga Sven Botman.
Newcastle pati mundësi të mira në fund me Nick Woltemade dhe Yoane Wissa, por nuk arriti të barazojë. Dan Burn gjithashtu humbi një rast të pastër me kokë.
Me këtë fitore, Arsenal krijon një avantazh prej tre pikësh në krye të tabelës dhe mbetet fuqishëm në garë për titull, ndërsa Newcastle vazhdon me një formë të dobët që e ka çuar drejt mesit të tabelës.
Arsenali momentalisht ka 73 pikë, tri më shumë se Manchester City në vendin e dytë, por që e ka një ndeshje më pak./GazetaExpress/