Arsenali nuk e fsheh më ambicien për ta transferuar Vinicius Juniorin.
Sipas raportimeve nga Anglia, trajneri Mikel Arteta e konsideron sulmuesin e Real Madridit si objektivin ideal për ta çuar skuadrën në një tjetër nivel dhe dëshiron ta ndërtojë projektin sportiv rreth brazilianit, përcjell “Gazeta Express”.
Interesimi i “Topçinjve” është konkret, edhe pse deri më tani nuk ka pasur një ofertë zyrtare për Real Madridin.
Klubi londinez po ndjek nga afër situatën kontraktuale të Viniciusit, i cili ende nuk ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës me “Los Blancos”.
Arteta beson se Vinicius është lojtari i duhur për ta udhëhequr repartin ofanziv të Arsenalit.
Me shpejtësinë, driblimet dhe aftësinë për t’i vendosur ndeshjet, braziliani shihet si pjesa që i mungon skuadrës kampione të Anglisë, veçanërisht në krahun e majtë të sulmit.
Megjithatë, transferimi mbetet shumë i vështirë. Dëshira e Viniciusit vazhdon të jetë qëndrimi te Real Madridi, ndërsa drejtuesit madrilenë shpresojnë ta arrijnë një marrëveshje për vazhdimin e kontratës.
Arsenali është gati të përfitojë vetëm nëse bisedimet dështojnë, madje sipas raportimeve është i gatshëm t’ia ofrojë brazilianit kontratën më të majme në historinë e klubit. /Gazeta Express