Arriti marrëveshje për pranim fajësie, Ymer Dragusha dënohet me 2 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare - Gazeta Express
string(111) "arriti-marreveshje-per-pranim-fajesie-ymer-dragusha-denohet-me-2-vjet-burgim-per-keqperdorim-te-detyres-zyrtare"

Lajme

Gazeta Express

08/07/2026 13:44

Arriti marrëveshje për pranim fajësie, Ymer Dragusha dënohet me 2 vjet burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Lajme

Gazeta Express

08/07/2026 13:44

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Ymer Dragusha, duke e dënuar me dënim unik prej 2 vjet burgim lidhur me akuzën se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit në zyrën e prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Aktgjykimi ndaj tij u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, pasi Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Bashkë me të në këtë rast akuzohen edhe ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna, por pasi Dragusha arriti marrëveshje për pranim fajësie, mori cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues në këtë rast. Të akuzuarit ngarkohen për dëmtim të buxheti të shtetit rreth 37 milionë euro,

Gjykatësi Beqiri tha se i akuzuari Dragusha është fajtor për katër vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për pikën 1 të aktakuzës, Dragusha u dënua me 1 vit burgim. Ndërsa për pikën e dytë, të tretë dhe katërt të aktakuzës, për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të akuzuarit Dragusha iu caktua dënim me nga 8 muaj burgim.

Andaj, ndaj të akuzuarit Dragusha, Gjykata ka shqiptuar dënim unik me burgim me kohëzgjatje prej 2 vitesh, i cili dënim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, pala e dëmtuar- Avokatura Shtetërore u udhëzua që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në konstest të rregullt civil.

I akuzuari Dragusha u urdhërua që të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale, përkatësisht 100 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 100 euro në emër të Fondit për kompenzimin e viktimave.

Në shpallje mungoi i akuzuari Dragusha dhe mbrojtësi i tij.

Sipas aktakuzës, Nagip Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Ymer Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Isuf Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 prill 2025, kishte marrë vendim, me të cilin ka aprovuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, duke hudhur aktakuzën dhe pushuar procedurën penale për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”. Kurse, për pikat tjera të aktakuzës kishte rikualifikuar veprat penale në një vepër penale në vazhdim “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”.

Ndërkaq, Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktvendimin e Themelores, duke vendosur që procedura penale ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi për pesë vepra penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, katër prej tyre në bashkëkryerje, si dhe një vepër penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, të vazhdohet sipas dispozitave të procedurës penale të parapara për caktimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor. Me këtë vendim, Apeli konfirmoi aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në seancën fillestare të mbajtur më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm. Bashkë me ta në këtë rast aktakuza e ngarkon edhe Ymer Dragushën, mirëpo i njëjti arriti marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës. Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Kurse, Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdrim i detyrës zyrtare”. Dragusha ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro./BetimipërDrejtësi/

Advertisement
Advertisement
Advertisement