Arne Slot tha se ishte “e pamundur të matet” ndikimi që ka pasur vdekja e Diogo Jotës mbi skuadrën e tij, por nguli këmbë se nuk do ta përdorte këtë tragjedi si justifikim për formën e dobët të Liverpoolit së fundmi.
Jota, së bashku me vëllanë e tij, Andre Silva, humbën jetën në një aksident automobilistik në provincën spanjolle Zamora në korrik, duke shkaktuar homazhe të shumta për sulmuesin e kombëtares së Portugalisë.
Vdekja e tij ka prekur të gjithë skuadrën e Liverpoolit, me Andy Robertson që dha një intervistë emocionuese pasi ndihmoi Skocinë të siguronte vendin në Botërorin 2026 në mesjavë.
Robertson tha se ishte “shkatërruar emocionalisht” para fitores 4-2 ndaj Danimarkës, duke shtuar se ai dhe Jota kishin folur shpesh për mundësinë e pjesëmarrjes në Botëror së bashku.
“E pashë intervistën [me Robertson] drejtpërdrejt dhe e di që është një çështje që na prek, gjë krejt normale,” tha Slot para gazetarëve të premten.
“Në këtë moment gjithmonë mendoj se si duhet të ndihen gruaja dhe fëmijët e tij. Është shumë, shumë, shumë më e vështirë për ta sesa për ne. Por që ne do ta humbasim lojtarin dhe njeriun, kjo është e qartë. Tani luajmë ndaj Nottingham Forest. Sezonin e kaluar atje ishim në disavantazh 1-0, dhe atij [Jotës] iu desh vetëm një minutë për të barazuar. Është mirë për ne ta kujtojmë atë gjithmonë. Është e mundur falë karakterit dhe lojtarit që ai ishte. Është e pamundur të matet se çfarë ndikimi ka te lojtarët dhe te rezultatet tona. Gjëja e fundit që do të bëja është ta përdorja si justifikim. Ne e dimë që na mungon lojtari dhe njeriu, por nuk mund të mas ndikimin e kësaj te rezultatet. Kjo është e pamundur të thuhet dhe nuk do ta përdorim kurrë si justifikim”, shtoi ai.
Liverpooli ka humbur pesë nga gjashtë ndeshjet e fundit në Premierligë (1 fitore), më shumë sesa tërë sezonin e kaluar kur fitoi titullin (katër humbje).
Para kësaj serie, “Reds” kishin humbur vetëm pesë nga 49 ndeshjet e mëparshme të ligës (33 fitore, 11 barazime), por tani shpresojnë të kthehen te fitorja këtë të shtunë në shtëpi kundër Forest.
Skuadra e Slot renditet e teta në tabelën e Premierligës, pozicioni më i ulët në këtë fazë të sezonit që nga prilli 2023, dhe gjendet tetë pikë prapa kryesuesve Arsenalit.
Pavarësisht një serie ndeshjesh të favorshme – Forest, West Ham dhe Leeds – Slot minimizoi mundësinë e luftës për titull.
Sipas “Opta supercomputer”, Liverpooli ka vetëm 7.9% shanse për ta mbrojtur titullin, përqindje që tejkalohet vetëm nga Manchester City (22.6%) dhe Arsenal (63%).
“E kam thënë shumë herë: në këtë moment nuk mendojmë dhe nuk flasim për titullin,” shtoi Slot.
“Njësoj si sezonin e kaluar, kur ishim në krye të ligës. Fokusi është vetëm ndeshja e radhës. Mënyra më e mirë për të gjykuar një tabelë është pas 38 ndeshjeve. Opsioni i dytë më i mirë, sipas meje, është pas 19 ndeshjeve. Le të shohim ku do të jemi atëherë. Për momentin, fokusi ynë është vetëm të fitojmë ndeshje futbolli”, tha ai.
Slot gjithashtu konfirmoi se portieri Alisson është gati të rikthehet në fushë.
Alisson ka munguar në tetë ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në tendinën e kofshës, me zëvendësuesin Giorgi Mamardashvili që ka pësuar 11 gola në shtatë ndeshje, duke mbajtur vetëm dy porta të paprekura.
Megjithatë, trajneri holandez konfirmoi se do të jetë pa mbrojtësin Conor Bradley dhe mesfushorin Florian Wirtz, të cilët morën dëmtime gjatë angazhimeve me kombëtaret.
“Alisson u stërvit javën e kaluar dhe këtë javë, kështu që ai do të jetë në gjendje të luajë nesër nëse gjithçka shkon mirë sot,” tha Slot. “Nëse është gati të luajë, ai do të jetë titullar. Por kemi disa probleme pas pauzës ndërkombëtare. Conor Bradley nuk mund të luajë dhe Florian Wirtz nuk mund të luajë. Kjo është larg së qenit ideale”, përfundoi holandezi./GazetaExpress/