Gazetari sportiv Arbër Loxha ishte mbrëmë i ftuar në emisionin “Favorit” në T7.
Ndër temat e shumta që u prekën në emision, kohë të merituar iu rezervua edhe basketbollit kosovar.
Dhe, drejtori i sportit në Kujtesa i bëri analizë basketbollit të këtushëm, duke u nisur nga organizimi i Kupës së Kosovës, të cilën e fitoi Trepça ndaj Sigal Prishtinës, për të vazhduar më pas me cilësinë e skuadrave të Superligës dhe me favoritët për ta fituar titullin e kampionit në këtë sezon, shkruan “Gazeta Express”.
“Duhet lavdëruar klubin e Vëllaznimit. Fatmirësisht, klubi i Vëllaznimit udhëhiqet nga familje që kanë ‘background’ të basketbollit si familja Gjoshi, Kumnova, e tash edhe presidenti Ideal Bakija, po bëjnë punë të jashtëzakonshme. Ata kanë arritur ta rikthejnë edhe frymën për përkrahje ndaj klubit.”
“Kam përshtypjen që investimet që janë bërë në klubet e basketbollit, mund ta vëresh edhe dallimin në kualitet. Ende nuk ka përfunduar asgjë. Ekipet kanë bërë ndryshime së fundmi, mbi të gjitha Golden Eagle Ylli. Po shpresoj që njëjtë si në Kupë, të vazhdojë organizim i njëjtë edhe në vazhdimin e sezonit në Superligë dhe ‘play-offi’. Në ‘play-off’ gjakrat ngrohen më tepër, nuk respektohet më shumë kundërshtari, na shajnë më shumë ne gazetarëve.”
“Ligji i sponsorizimit po shkon më shumë kah basketbolli pasi basketbolli po i mbush sallat. Dhe, sponsorët duan të jenë më afër klientit të tyre në këtë rast. Ndërkohë, futbolli fatkeqësisht po i ka stadiumet e zbrazëta. Dhe, ideja për t’i investuar paratë tua tani nuk do t’i paguash si tatim, por do t’ia japësh një klubi, le të themi se norma e kthimit në futboll është më e dobët sesa në basketboll.”
“Së fundmi i kanë munguar bajagi shumë kupat Prishtinës. Trepça me të vërtetë është shumë e vendosur që sivjet të shkojë deri në fund. E kam përshtypjen që mund të jetë viti i Trepçës. Basketbolli e ka një të mirë që shumë lehtë mund të përparojë një skuadër kundërshtare e jotja, sidomos në Kosovë, me një transfer të mirë sepse nga ana e vendorëve janë thuajse në një nivel.”
“Unë mendoj që ka filluar ndoshta Trepça shumë furishëm, por mbyllja e sezonit është gjithmonë më e vështirë. Mendoj se Peja e ka ekspertizën ta mbyll shumë mirë sezonin. Por, mungesa e lojtarëve që kanë vertikalitet me të vërtetë e ka lënë prapa tash Pejën në përfundim të sezonit të rregullt. E kam përshtypjen që përsëri mund ta kemi një finale Peja – Trepça. Do ta favorizoja Pejën për shkak të përvojës që e kanë nga edicioni i kaluar dhe e kanë një ‘njohuri’ se si ta finalizojnë punën.”
“Por, edhe Trepça e ka një trajner mjaft të mirë, i cili di se si ta mbyllë finalen. Mendoj se këto dy ekipe janë pak më lartë se të tjerët. Mirëpo, me përforcimet e fundit të Prishtinës, mbetet të shihet se sa shpejtë do të integrohen. E kanë tash një trajner të ri dhe edhe atij i duhet pak kohë për t’u integruar në klub. E kam përshtypjen që pak vonë, por që koha është aty dhe nëse punojnë shpejt e mirë, mund të jenë aty me këto dyja. Të tjerat nuk i shoh që mund të garojnë me Trepçën dhe me Pejën.” /Gazeta Express/