Arben Gashi: Nuk është lidership kur Kryeministri s'paraqitet para drejtësisë, e kryetari i komunës refuzon të dëshmojë për një incident - Gazeta Express
string(133) "arben-gashi-nuk-eshte-lidership-kur-kryeministri-sparaqitet-para-drejtesise-e-kryetari-i-komunes-refuzon-te-deshmoje-per-nje-incident"

Lajme

Gazeta Express

15/05/2026 12:20

Arben Gashi: Nuk është lidership kur Kryeministri s’paraqitet para drejtësisë, e kryetari i komunës refuzon të dëshmojë për një incident

Lajme

Gazeta Express

15/05/2026 12:20

Ish-deputeti i Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Skenderaj, duke kritikuar qasjen e pushtetit ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përdorimin e njësive speciale policore në Drenicë.

Gashi tha se Kosova nuk ka nevojë për politikë përçarëse dhe tensione, por për respektim të ligjit dhe institucioneve.

“Kjo nuk është politika që i duhet Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas tij, nuk mund të konsiderohet lidership kur zyrtarët shtetërorë shmangin përgjegjësinë para drejtësisë dhe institucioneve.

“Nuk është lidership kur Kryeministri refuzon të paraqitet para drejtësisë. Nuk është lidership kur një kryetar komune shmang përgjegjësinë për të dëshmuar mbi një incident”, tha Gashi.

Ai shtoi se shteti ligjor duhet të vlejë njësoj për të gjithë, pavarësisht pozitës politike apo institucionale.

“Mbi çdo funksion, mbi çdo pozitë dhe mbi çdo emër politik, duhet të qëndrojë Republika dhe ligji i saj”, u shpreh ai.

Ish-deputeti i LDK-së kritikoi edhe dërgimin e njësive speciale në Drenicë, duke ngritur dyshime se po krijohej tension i panevojshëm.

“Kur në Drenicë dërgohen njësi speciale policore në situata që mund të trajtohen nga policia lokale, lind pyetja e madhe: a po ruhet rendi, apo po prodhohet tension?”, deklaroi Gashi.

Ai tha se shteti serioz duhet të ndërtojë siguri dhe besim te qytetarët, e jo frikë.

“Shteti serioz nuk ndërton frikë tek qytetari i vet. Shteti serioz ndërton siguri, qetësi dhe besim”, tha ai.

Në reagimin e tij, Gashi kërkoi një model tjetër të politikës në Kosovë, të bazuar në qytetari, respekt dhe standarde evropiane.

“Na duhet politikë që respekton ligjin, jo politikë që sfidon institucionet. Na duhet lidership që bashkon, e jo pushtet që provokon”, përfundoi ai.

Advertisement
Advertisement
Advertisement