Apple ka nisur kontrollet e moshës në Mbretërinë e Bashkuar, duke detyruar përdoruesit e iPhone të vërtetojnë moshën për të aksesuar aplikacionet 18+.
“Sapo të krijoni një Apple Account të ri ose përdorni shërbimet e Apple, mund t’ju kërkohet të konfirmoni që jeni të rritur,” shpjegon Apple në faqen e saj të mbështetjes. “Kjo është e detyrueshme ligjërisht në disa vende dhe rajone.”
Kontrollet e reja janë në përputhje me ligjet britanike për sigurinë online, të dizajnuara për të mbrojtur fëmijët nën moshë.
Megjithatë, disa kritikë i kanë quajtur masat e Apple “të papranueshme”.
“Është absolutisht skandaloze që, brenda natës, Apple ka vënë nën kontroll lirinë e britanikëve për të kërkuar në internet, për të aksesuar informacion dhe për të përdorur aplikacione, përveç nëse dorëzojnë dokumente të ndjeshme identiteti,” tha Silkie Carlo, drejtoreshë e Big Brother Watch.
“Kjo do të thotë se 35 milionë britanikë, që kanë paguar qindra apo mijëra paund për teknologjinë Apple, tani papritmas kanë një pajisje për fëmijë, përveç nëse plotësojnë kërkesat invazive për informacion personal që shkojnë shumë më tej se sa kërkon ligji britanik. Apple ka kaluar Rubikonin me këtë përditësim softuerik, më shumë si ransomware, duke mbajtur klientët peng përmes kërkesave për ID që janë invazive, përjashtuese dhe të panevojshme.”

Përdoruesit e iPhone do të kenë dy mënyra për të konfirmuar se janë mbi moshën e lejuar kur përpiqen të aksesojnë përmbajtje 18+:
Përdorimi i kartës së kreditit për të vërtetuar moshën.
“Ju mund të shtoni një kartë krediti në Apple Account për të konfirmuar që jeni të rritur,” shpjegon Apple. “Nëse përdorni kartë krediti, mund ta shtoni si mënyrë pagese për llogarinë tuaj. Kartat debiti nuk pranohet.”
Skanimi i patentës së shoferit ose ID-së kombëtare për të konfirmuar moshën.
“Për të siguruar që ID-ja juaj skanohet me sukses, qëndroni në një vend të mirëndriçuar (brenda mjediseve funksionon më mirë), vendosni ID-në mbi një sfond neutral dhe shmangni reflektimin e dritës. Sigurohuni që imazhi të jetë i qartë dhe i fokusuar përpara dorëzimit,” këshilloi Apple.
Ofcom e përshkroi këtë masë si “fitore të vërtetë për fëmijët dhe familjet”.
“Vendimi i Apple që Mbretëria e Bashkuar do të jetë një nga vendet e para në botë që merr mbrojtje të re për sigurinë e fëmijëve në pajisje është një fitore e madhe për fëmijët dhe familjet,” tha një zëdhënës.
“Rregullat tona janë fleksibël dhe të dizajnuara për të nxitur inovacionin, veçanërisht në verifikimin e moshës. Ne kemi punuar ngushtë me Apple dhe shërbime të tjera për të siguruar që mund të zbatohen në kontekste të ndryshme për të mbrojtur përdoruesit. Kjo do të ndërtojë mbi bazat e forta të Online Safety Act, nga kontrollet e moshës që mbajnë të rinjtë larg përmbajtjeve të dëmshme, tek bllokimi i faqeve me rrezik të lartë dhe veprimet kundër materialeve të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.”
Megjithatë, jo të gjithë bien dakord.
Carlo i përshkroi masat si “drakoniane”.
“Siguria online e fëmijëve është thelbësore, por kërkon kontrolle më të mira prindërore dhe përgjegjësi të menduar teknologjike – jo kërkesa të gjerë, drakoniane dhe shokuese nga kompanitë e huaja për të gjitha ID-të dhe kartat tona të kreditit,” tha ajo. /GazetaExpress/