Netflix ka krijuar një prej tingujve më të njohur në televizion – “tudum”, që luhet në fillim të çdo filmi dhe seriali në platformë.
Tani, duket se Apple ka marrë frymëzim nga konkurrenti i saj. Gjiganti i teknologjisë prezantoi një jingël të ri, të kompozuar nga këngëtari dhe kompozitori amerikan Finneas, vëllai i Billie Eilish.
Ky tingull i shkurtër do të shoqërojë një animacion të ri me logon e ylberit dhe do të luhet para çdo shfaqjeje në Apple TV. Video e prezantimit mban thjesht titullin:
“This is just the beginning” (“Kjo është vetëm fillimi”).
Xhingëlli, i cili nga Finneas quhet “mnemonic”, ka marrë komente të përziera në rrjetet sociale. Disa përdorues e gjykojnë të gjatë:
“Pak i gjatë. Më bezdis të pres të gjithë këtë para se të nis filmi…”
Finneas shpjegoi përfshirjen e tij në projekt në Instagram:
“Krijova këtë mnemonic për Apple TV. Nuk e kisha menduar kurrë që do të bëja diçka të tillë, por ndjehem shumë i nderuar dhe më pëlqeu jashtëzakonisht procesi. Shpresoj që ky fragment i shkurtër muzikor të reflektojë gjithçka që më pëlqen tek Apple – ata krijojnë vegla kaq të bukura, jam me fat që i përdora.”
Disa fansa duket se kanë pëlqyer tingullin dhe animacionin, duke e quajtur “brilant”. Një tjetër komentoi:
“Bukuri në dizajn dhe tingull. Bravo!”
Megjithatë, ka edhe skeptikë:
“Kjo më jep ankth, por nuk mund ta shpjegoj.”
Një tjetër përdorues pyeti:
“Pse nota e fundit nuk zgjidhet? Nota e fundit duhet të ishte më e ulët.”
Sipas ekspertëve, jingëlli i ri i Apple mund të ketë marrë frymëzim nga Netflix dhe ikoniku “tudum”, i cili përdoret që nga 2015.
Pak njerëz e dinë se tudum ka origjinën te seriali House of Cards (2013), që vuri Netflix në hartën e prodhimeve origjinale. Në episodin përfundimtar të sezonit të dytë, Frank Underwood (Kevin Spacey) goditi tavolinën dy herë me grusht, duke krijuar një tingull që ngjasonte me jingëllin e Netflix, i prezantuar një vit më vonë. /GazetaExpress/