Massimiliano Allegri po mendon seriozisht të largohet nga Milani në fund të sezonit, pas një përçarjeje të plotë me këshilltarin e klubit, Zlatan Ibrahimovic.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, marrëdhënia mes trajnerit italian dhe ish-yllit suedez është përkeqësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit, duke krijuar tension të madh brenda klubit, përcjell “Gazeta Express”.
Allegri thuhet se është i lodhur nga konfliktet e brendshme dhe nga situata e vështirë sportive e Milanit këtë sezon.
Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se përplasja mes tyre lidhet edhe me rolin e Ibrahimovic në strukturën drejtuese të Milanit dhe ndërhyrjet e tij në çështjet sportive të skuadrës.
Situata në “San Siro” nuk është e qetë, pasi Milani po lufton për një vend në Champions League, ndërsa rezultatet e dobëta të muajve të fundit e kanë rritur presionin mbi drejtuesit dhe stafin teknik.
Sipas raportimeve, e ardhmja e Allegrit mbetet e hapur, edhe pse ai ka kontratë me klubin, ndërsa një largim i mundshëm i tij do të varej nga zhvillimet në dy ndeshjet e fundit të sezonit dhe vendimi i drejtuesve të Milanit për projektin e ardhshëm.
Ky zhvillim e shton edhe më shumë pasigurinë rreth një sezoni të komplikuar për kuqezinjtë, ku tensionet brenda klubit po bëhen po aq të rëndësishme sa edhe rezultatet në fushë. /Gazeta Express