Një fluturim i kompanisë “Air France” me destinacion Shtetet e Bashkuara është devijuar drejt Montrealit në Kanada, pasi është ngritur dyshimi se një pasagjer mund të ishte ekspozuar ndaj virusit Ebola.
Avioni ishte nisur nga Parisi dhe kishte si destinacion qytetin Detroit, por ndryshoi kurs gjatë pasdites së së mërkurës, më 20 maj, me kërkesë të autoriteteve amerikane.
Sipas U.S. Customs and Border Protection (CBP), pasagjeri kishte hipur në avion “gabimisht”, pasi kishte qenë së fundmi në Afrikën Lindore, një zonë e prekur nga një shpërthim i virusit Ebola. Autoritetet amerikane theksuan se, për shkak të kufizimeve të hyrjes, ai nuk duhej të ishte lejuar të udhëtonte drejt SHBA-së.
“Për shkak të masave kufizuese për të reduktuar rrezikun nga virusi Ebola, pasagjeri nuk duhej të ishte në bord,” thuhet në deklaratën e CBP, e cila urdhëroi ndalimin e uljes së avionit në Detroit dhe devijimin e tij drejt Montrealit.
Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse pasagjeri kishte shfaqur simptoma të sëmundjes. Sipas të dhënave nga FlightAware, avioni u ul në Montreal në mbrëmje, ku pasagjeri u zbrit dhe u mor në kujdes nga autoritetet shëndetësore, ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve vijoi udhëtimin drejt Detroitit.
Ngjarja vjen disa ditë pas vendosjes së kufizimeve të reja nga administrata amerikane. Më 18 maj, CDC dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare njoftuan një ndalim të përkohshëm 30-ditor të hyrjes për shtetasit jo-amerikanë nga Republika Demokratike e Kongos, Sudani i Jugut dhe Uganda. Gjithashtu janë vendosur kontrolle të rrepta shëndetësore për udhëtarët që kanë qëndruar në këto vende gjatë 21 ditëve të fundit.
Air France ka konfirmuar se pasagjeri ishte shtetas kongolez dhe se hyrja e tij në SHBA është refuzuar. Sipas kompanisë, në bazë të rregullave të reja, pasagjerët nga disa vende, përfshirë Republikën Demokratike të Kongos, mund të hyjnë në SHBA vetëm përmes aeroportit të Uashingtonit (IAD).
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur shpërthimin e Ebola-s si një emergjencë shëndetësore me rëndësi ndërkombëtare, duke shprehur shqetësim për përhapjen e shpejtë.
Sipas drejtorit të përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, janë konfirmuar 51 raste në provincat veriore të Kongos dhe dy raste në Ugandë, ndërsa numri i vdekjeve të dyshuara arrin në 139 dhe rastet e dyshuara afrojnë 600.