Shkencëtarët kanë identifikuar një lloj të ri koronavirusi te lakuriqët e natës, i cili ka aftësinë të depërtojë në qelizat njerëzore – një zbulim që ngre shqetësime për një kërcënim të mundshëm global në të ardhmen.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish zbuloi një alphacoronavirus të quajtur KY43, i cili mund të lidhet me receptorë të pranishëm në mushkëritë e njeriut. Virusi është identifikuar te lakuriqët me hundë në formë zemre në Afrikën Lindore, përfshirë Kenian, Sudanin lindor dhe Tanzaninë veriore.
Megjithëse testimet paraprake nuk tregojnë përhapje te njerëzit, studiuesit paralajmërojnë se virusi ka potencial për të shkaktuar infeksion, çka mund të përbëjë një hap të parë drejt një pandemie të re.

Profesori i biologjisë në Texas A&M University, Benjamin Neuman, theksoi se ky është një nga shumë viruset që qëndrojnë “në pritje” për një mundësi për t’u përhapur te njerëzit.
“Historia na tregon se një virus do ta bëjë këtë kalim – por nuk mund të dimë cili,” u shpreh ai, duke shtuar se shkenca duhet të vazhdojë të studiojë dhe të përgatitet për të ardhmen.
Në vend që të përdornin viruse të gjalla, studiuesit analizuan sekuenca gjenetike dhe sintetizuan proteinat “spike” të virusit, duke testuar aftësinë e tyre për t’u lidhur me receptorët njerëzorë. Rezultatet treguan se KY43 është në gjendje të hyjë në qelizat e njeriut.
Sipas autorit të studimit, Dr. Dalan Bailey nga Pirbright Institute, ky zbulim sfidon bindjet e mëparshme se alphacoronaviruset përdorin vetëm një ose dy receptorë për të infektuar organizmat.
“Ne tani e dimë se këto viruse mund të përdorin një gamë shumë më të gjerë receptorësh për të hyrë në qeliza,” tha ai.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse virusi mund të depërtojë në qeliza, ai ende duhet të kapërcejë pengesa të tjera – si shmangia e sistemit imunitar – për t’u përhapur mes njerëzve. Aktualisht, nuk ka prova që KY43 e zotëron këtë aftësi.

Profesori Aris Katzourakis nga Universiteti i Oksfordit e cilësoi zbulimin si një “paralajmërim të hershëm të rëndësishëm”.
“Këto ngjarje mund të jenë hapi i parë drejt epidemive apo pandemive të ardhshme, megjithëse nuk jemi ende në atë fazë,” tha ai.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, thekson rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të viruseve që qarkullojnë te kafshët, pasi kalimi i tyre te njerëzit mbetet një nga rreziqet më të mëdha për shëndetin global. /GazetaExpress/