Akuzat e Osmanit: Vdiqën 300 persona nga Covid-19, Qeveria prioritet pagesat për avokatët e Gjykatës Speciale - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

06/08/2020 20:57

Akuzat e Osmanit: Vdiqën 300 persona nga Covid-19, Qeveria prioritet pagesat për avokatët e Gjykatës Speciale

Lajme

Gazeta Express

06/08/2020 20:57

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka lëshuar akuza të reja ndaj Qeverisë së vendit, e cila udhëhiqet nga kolegu i saj partiak, Avdullah Hoti.

Osmani, ish-nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se teksa në vend është regjistruar viktima e 300-të nga koronavirusi, Qeveria Hoti e ka parë më me prioritet t’i realiuzojë pagesat për avokatët e Gjykatës Speciale.

“Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale”, ka shkruar, ndër të tjera, Osmani në Facebook.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

Sot u shënua shifra e dhimbshme prej 300 jetësh të humbura; 300 ëndrra njerëzish u fikën në betejën kundër COVID-19. Prapa secilit nga këta numra qëndron një histori e trishtë, zbrazëtia e pafund që e lanë në shpirtrat e të dashurve, që nuk mund të plotësohet asnjëherë!

Por, dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, e shifrat si këto të trokasin në ndërgjegjen tonë. Prandaj sot, kur nuk dimë si do të duket epilogu i këtij kapitulli të hidhur, duhet të mësojmë nga historia e secilit, të mbajmë distancë për hir të tyre, të vendosim maska mbrojtëse dhe ta ruajmë higjienën personale!

Ta pranojme sintagmën “një herë në shekull”, dhe ta mposhtim pandeminë me kurajo e kujdes ndaj njëri-tjetrit. Të përmbahemi atëherë kur dielli na provokon e natyra na thërret.
Të mbajmë distancën fizike edhe atëherë kur të na mungojnë përqafimet e më të dashurve tonë. Ne duhet të jemi mburojë e sistemit shëndetësor duke ushtruar kujdes personal, për hirë të sakrificës së profesionistëve, të cilët me vetëmohim të pashoq po përballen me rrezikun e çdoditshëm!

COVID-19 ka shtruar nevojën urgjente të qeverive për ta rritur gatishmërinë në menaxhimin e situatës. Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale.
Të mos harrojmë, viktimat janë rezultat edhe i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor të brishtë, i cili megjithëse është konsideruar prioritar në letër, në praktikë nuk po trajtohet si i tillë.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Sot kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!