Ajvazi: Është duke u dëmtuar komplet industria e prodhimit në Kosovë - Gazeta Express
string(67) "ajvazi-eshte-duke-u-demtuar-komplet-industria-e-prodhimit-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

10/07/2026 18:43

Ajvazi: Është duke u dëmtuar komplet industria e prodhimit në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

10/07/2026 18:43

Kushtrim Ajvazi, nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në EURO n’T7 ka thënë se rasti i fundit i ndodhur në qumështoren VITA, ku mbi 15 inspektorë ishin aty për të kontrolluar cilësinë e produkteve të kësaj kompanie, dhe pas komenteve të zyrtarëve shtetërorë, duke përfshirë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ka ndikuar shumë keq në imazhin e prodhuesve vendorë.

Sipas tij, është e papranueshme narracioni që po krijohet në opinionin publik se në Kosovë nuk po prodhohet cilësi, por helm.

“Në bazë të situatave të tilla që po krijohen, sikur kjo e fundit, po i jepen sinjale konsumatorit se në Kosovë po prodhohet helm dhe ky është problemi ynë më i madh që duhet zgjidhur njëherë e përgjithmonë, sepse me këta prodhues po mburremi. Këta prodhues janë duke u munduar të rriten, t’i zëvendësojnë produktet e importit, por është një zinxhir i tërë që për të qenë konkurrues në treg duhet që, përveç shembull qumështit të freskët, të merresh edhe me përpunimin e tij. Është shumë problem të përballohet konkurrenca e importit”, ka thënë Ajvazi.

Kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës ka folur edhe për deficitin e madh tregtar në vend, ku importohen mallra në vlerë prej 7 miliardë eurosh, ndërsa eksporti nuk arrin as një miliard.

“Si po mendojmë ne ta rregullojmë bilancin tonë tregtar duke i sulmuar e goditur prodhuesit vendorë, duke mos u krijuar hapësirë? Ne nuk jemi kundër asnjë kontrolli që u bëhet prodhuesve, aq më pak për siguri ushqimore. Tash është koha e ardhjes së mërgatës dhe rritet konsumi, ndërsa në vend se të kemi fushata vetëdijesuese pro prodhimit vendor, është krijuar një narracion i tmerrshëm kundër tyre”, ka shtuar Ajvazi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement