AGK: VV synon kapjen e KPM’së- Luljeta Aliu e Besnik Berisha kanë histori problematike, rikthimi i tyre vë në rrezik komisionin - Gazeta Express
string(123) "agk-vv-synon-kapjen-e-kpmse-luljeta-aliu-e-besnik-berisha-kane-histori-problematike-rikthimi-i-tyre-ve-ne-rrezik-komisionin"

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 12:45

AGK: VV synon kapjen e KPM’së- Luljeta Aliu e Besnik Berisha kanë histori problematike, rikthimi i tyre vë në rrezik komisionin

Lajme

Gazeta Express

22/04/2026 12:45

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka deklaruar se partia në pushtet, Vetëvendosja, ‘’ synon vazhdimin e kapjes së KPM-së nëpërmjet dy ish-anëtarëve që e dëmtuan më herët institucionin’’.

Nga AGK është thënë edhe se, përzgjedhja e anëtarëve të KPM’së, është proces i cili ‘’ është haptazi i komprometuar dhe nuk përmbush standardet minimale për të siguruar që përbërja e re’’ të këtij komisioni.

Nga AGK shtohet se, komisioni Ad Hoc ka rekomanduar emra për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dëshmuar me vendime të gjykatave të rregullta se kanë cenuar ose shkelur Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, apo persona që janë të njohur si propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtu, AGK, ka përmendur dy emra të cilët ‘’kanë histori problematike me KPM-në’’, e që janë, Besnik Berisha dhe Luljeta Aliu Krasniqi.

‘’ Rrjedhimisht, konsiderojmë që rikthimi eventual i ish-kryetarit të kundërligjshëm Besnik Berisha dhe mbështetëses së pushtetit Luljeta Aliu Krasniqi e vendos KPM-në në rrezik të drejtpërdrejtë të presionit politik dhe krijon precedent që persona që kanë shkelur ligjin të favorizohen sërish politikisht’’, është thënë mes tjerash nga AGK.

Postimi:

VV-ja synon vazhdimin e kapjes së KPM-së nëpërmjet dy ish-anëtarëve që e dëmtuan më herët institucionin

Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), vlerësojmë se procesi është haptazi i komprometuar dhe nuk përmbush standardet minimale për të siguruar që përbërja e re e KPM-së do të garantojë rregullim dhe pluralizëm të mediave në Kosovë.

Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar emra për votim në seancën e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dëshmuar me vendime të gjykatave të rregullta se kanë cenuar ose shkelur Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media, apo persona që janë të njohur si propagandues të Lëvizjes Vetëvendosje. Një qasje e tillë cenon integritetin e procesit dhe besueshmërinë e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e KPM-së, nëse këta persona potencialisht emërohen në KPM.

Në këtë drejtim, i rekomandojmë Komisionit Ad Hoc që ky proces të mos procedohet tutje dhe të kthehet në pikën zero për këto arsye:

Legjitimiteti i institucionit të KPM-së garantohet vetëm përmes një procesi të përzgjedhjes së anëtarëve të bazuar në ligj dhe me integritet. Ky proces nuk e ka garantuar këtë parim. Moszbatimi i këtij standardi cenon besueshmërinë e publikut dhe mediave që vendimet e KPM-së të perceptohen si të drejta dhe të pranueshme.

Në proces kanë aplikuar gjithsej 30 individë për gjashtë pozita të lira. Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të KPM-së është zhvilluar ndërmjet datave 17 dhe 20 prill, që përfshin gjithsej dy ditë pune, duke marrë parasysh fundjavën. Më 17 prill janë shqyrtuar dosjet e kandidatëve dhe është diskutuar metodologjia e intervistimit, ndërsa më 20 prill janë mbajtur 23 intervista. Procesi ka përfunduar rreth orës 19:30 të mbrëmjes së datës 20 prill. Paraprakisht, Komisioni Ad Hoc kishte dështuar të mblidhej për shkak të mungesës së kuorumit të plotë më 10 dhe 14 prill.

Ky proces i kontestuar cenon rëndë pavarësinë institucionale të KPM-së, duke pasur parasysh që ky institucion rregullon sektorin mediatik në Kosovë dhe është thelbësore që anëtarët e tij të mos zgjidhen përmes ndikimeve politike apo interesave partiake.

Barazia dhe meritokracia: Ky proces është zhvilluar brenda një afati të shkurtër kohor dhe me metodologji të kontestuar. Edhe përkundër faktit se kryetari i Komisionit Ad Hoc, z. Alban Bajrami, ka bërë përpjekje që ky proces të zhvillohet mbi bazën e kritereve të qarta dhe të njëjta për të gjithë kandidatët, kjo në praktikë nuk është zbatuar drejt, duke cenuar parimin e barazisë dhe meritokracisë.

Mungesa e zbatimit të parimit të barazisë dhe meritokracisë cenon rëndë cilësinë e përbërjes së KPM-së dhe ka kufizuar profesionalizmin dhe konkurrencën e ndershme. Procesi është karakterizuar nga organizim i çrregullt, i ndikuar nga insistimi i partisë në pushtet që ai të përfundonte brenda një kohe shumë të shkurtër. Të gjitha takimet kanë nisur me vonesë, për shkak se deputetët kishin angazhime të tjera në të njëjtën kohë brenda parlamentit. Po ashtu, deputetët i kanë pranuar dosjet me vonesë dhe, nga momenti i pranimit të tyre deri në fillimin e intervistave, kanë pasur shumë pak kohë për shqyrtimin e rreth 30 dosjeve, të cilat përmbajnë qindra faqe. Në këto rrethana, nuk është realiste të pritet një shqyrtim i plotë dhe cilësor i këtij dokumentacioni brenda kësaj periudhe kohore.

Integriteti i procesit mbron transparencën dhe llogaridhënien. Edhe përkundër faktit se procedura e vlerësimit ka qenë deri diku e hapur, ajo nuk ka qenë e dokumentuar dhe e arsyetuar. Ky kufizim nuk u ka mundësuar palëve të interesuara dhe publikut të kuptojnë se si janë poentuar kandidatët, meqë procesi është shoqëruar me mungesë transparence në poentim. Vlerësimi i kandidatëve u bë vetëm pasi përfunduan të gjitha 23 intervistat dhe jo pas secilës intervistë, siç parashikojnë standardet minimale. Deputetët nuk kanë ofruar arsyetim për pikët e dhëna, duke u fshehur pas anonimitetit. Votimi është bërë në mënyrë anonime, duke mos lejuar asnjë formë monitorimi dhe rrjedhimisht është bërë e paqartë se sa pikë ka dhënë secili deputet për kandidatët. Se poentimi ka qenë i parregullt shihet edhe nga fakti se disa nga kandidatët, nga disa deputetë, u poentuan me 100 pikë, ndërsa i njëjti kandidat u poentua nga një deputet tjetër me 0 pikë, gjë që dëshmon se në këto raste kemi pasur vlerësim politik dhe jo profesional.

Po ashtu, është vërejtur sjellje joserioze e shumicës së deputetëve gjatë zhvillimit të intervistave, të cilët, përveç që nuk merrnin fare shënime, qëndronin në telefona edhe kur kandidatët ishin duke dhënë përgjigje. Kjo sjellje rrit edhe më shumë dyshimet rreth cilësisë së vlerësimit të kandidatëve.

Ky proces, për dallim nga procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të RTK-së, është zhvilluar në atmosferë më të rregullt falë përkushtimit të kryetarit të komisionit, Alban Bajrami.

Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vjona Sylejmani Shabani, Luljeta Aliu Krasniqi, Vlora Berisha, Hysni Mustafa. Për pozitat nga komunitetet janë propozuar Fatih Basha, Suada Dzogovic, Serpin Emrusi Halce dhe Ajten Kodraci.

Disa nga shkeljet kryesore të evidentuara gjatë procesit të monitorimit, të cilat e kanë bërë këtë proces të komprometuar, janë si në vijim:

Mungesa e metodologjisë

Një ndër shqetësimet kryesore në lidhje me këtë proces ka të bëjë me mungesën e një metodologjie të qartë, gjë që ka krijuar hapësirë që procesi të komprometohet në tërësi.

Metodologjia e intervistimit është diskutuar në takimin e parë më 17 prill, mirëpo në atë takim nuk është finalizuar. Diskutimet për metodologjinë kanë vazhduar edhe në ditën e intervistave, vetëm pak minuta para ardhjes së kandidatëve. Pas një diskutimi të shkurtër, deputetët janë pajtuar për pyetje të njëjta, të cilat janë parashtruar me rotacion.

Gjatë shqyrtimit janë ngritur çështje që lidhen me plotësinë e dokumentacionit dhe përmbushjen e kritereve të konkursit. Komisioni kishte vendosur që kandidatëve t’u jepet mundësia për plotësim të dokumentacionit. Vendimmarrja për lejimin e plotësimit të dokumentacionit tregon për një qasje më fleksibile, por njëkohësisht ngre çështje për konsistencën dhe barazinë në trajtimin e kandidatëve.

Po ashtu, në disa situata deputetët diskutonin se sa anëtarë duhet të dërgohen, nëse janë bashkuar listat që janë gjeneruar nga disa shpallje dhe sa prej tyre janë nga komunitetet, iskutime që tregojnë qartë se deputetët ishin të painformuar dhe të papërgatitur për zhvillimin e këtij procesi.

Paqartësitë rreth metodologjisë dhe nxitimi për ta përfunduar këtë proces sa më shpejt kanë krijuar një situatë ku disa kandidatë janë tërhequr, duke mos ardhur fare në intervistë, ndërsa një kandidat është tërhequr pasi është paraqitur në parlament për shkak të vonesave.

Rikthimi i ish-anëtarëve të KPM-së

Ndër kandidatët e rekomanduar për seancë plenare, dy persona kanë histori problematike me KPM-në. Besnik Berisha është ish-kryetar i kundërligjshëm i KPM-së, i cili u zgjodh më 17 janar 2025, vetëm tre ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, përmes ndryshimit të kundërligjshëm të rregullores. Sipas padive të Institutit për Drejtësi të Kosovës, Gjykata Supreme ka anuluar ndryshimin ligjor dhe më pas Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e KPM-së për zgjedhjen e tij në pozitën e kryetarit.

Po ashtu, Luljeta Aliu Krasniqi, ish-anëtare dhe mbështetëse e hapur e pushtetit para dhe gjatë mandatit të saj në KPM, ka mbrojtur për vite të tëra Lëvizjen Vetëvendosje në debate publike. Këtë qëndrim ajo e ka vazhduar edhe gjatë zhvillimeve kyçe në institucion, përfshirë dëgjimet publike në Kuvend, në të cilat kritikohej pa të drejtë nga politikanët e pushtetit ish-kolegu i saj nga KPM-ja, Jeton Mehmeti.

Rrjedhimisht, konsiderojmë që rikthimi eventual i ish-kryetarit të kundërligjshëm Besnik Berisha dhe mbështetëses së pushtetit Luljeta Aliu Krasniqi e vendos KPM-në në rrezik të drejtpërdrejtë të presionit politik dhe krijon precedent që persona që kanë shkelur ligjin të favorizohen sërish politikisht.

Përfundim

Ne konsiderojmë që mungesa e metodologjisë, nxitimi i deputetëve dhe favorizimi i personave që në mandatin e kaluar kanë shkelur ligjin dhe kanë mbështetur haptazi pushtetin e bëjnë këtë proces tërësisht të komprometuar dhe e politizojnë edhe më shumë KPM-në.

Shkeljet e lartpërmendura kanë qenë lehtësisht të evitueshme dhe janë rezultat i nxitimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të emëruar anëtarët e KPM-së, duke sakrifikuar parimet e meritokracisë dhe ofrimit të mundësive të barabarta për të gjithë kandidatët.

Një muaj më parë, Platforma e Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, pas një misioni faktmbledhës, konstatoi rënie të lirisë së medias në Kosovë dhe zhvillimet që kanë të bëjnë me KPM-në, sidomos sa i përket legjislacionit, ishin një ndër arsyet e këtij vlerësimi negativ. Pavarësia institucionale e KPM-së është kyçe për pluralizmin e medias dhe mund të garantohet vetëm përmes një komisioni të zgjedhur në një proces të rregullt dhe sipas meritokracisë. Komprometimi i këtij procesi, së bashku me atë për përzgjedhjen e anëtarëve të RTK-së, do të kontribuojë në përkeqësimin e mëtejmë të lirisë së medias në vend.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Lëvizja FOL

Kosovo Law Institute – Instituti i Kosovës për Drejtësi

Flutura Kusari – Aktiviste

Advertisement
Advertisement
Advertisement