Aeroporti i Gjenevës po bëhet gati për një fluks historik udhëtarësh gjatë sezonit veror. Sipas të dhënave të fundit, gjatë periudhës korrik-gusht pritet që përmes këtij aeroporti të udhëtojnë rreth 3.5 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje të ndjeshme të trafikut ajror në krahasim me vitin e kaluar.
Për të përballuar këtë rrymë të madhe udhëtarësh, autoritetet e aeroportit Cointrin kanë ndërmarrë një sërë masash të jashtëzakonshme, që nga përforcimi i personelit të sigurisë e deri te programet argëtuese për të shmangur stresin e pritjeve.
Masat e reja: Argëtim dhe teknologji kundër radhëve
Sipas parashikimeve, ky muaj do të shënojë një rritje prej 4.7% të numrit të pasagjerëve, ndërsa muaji i ardhshëm do të ketë një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Për të lehtësuar eksperiencën e udhëtarëve, aeroporti ka prezantuar disa risi këtë vit:
Argëtim në terminale: Çdo të premte mbrëma do të ketë performanca nga DJ, ndërsa mëngjeset e së hënës do të shoqërohen me shfaqje kërcimi. Gjithashtu, nëpër terminale janë vendosur tavolina minifutbolli (të instaluara fillimisht për Kampionatin Botëror), të cilat do të mbeten aktive gjatë gjithë verës.
Linja e shpejtë (“Priority Line”): Për udhëtarët që nitojnë, është vënë në dispozicion një kalim i shpejtë me pagesë (13 franga). Kjo linjë është e pajisur me skanerë modernë 3D, gjë që u mundëson pasagjerëve të mbajnë laptopët dhe lëngjet brenda në çantë pa pasur nevojë t’i nxjerrin gjatë kontrollit.
Këshillat e autoriteteve: Fluksi më i madh të premteve
Drejtuesi i departamentit të komunikimit në Aeroportin e Gjenevës, Ignace Jeannerat, ka bërë thirrje për planifikim të hershëm nga ana e udhëtarëve, duke theksuar se ditët e premte pritet të jenë më të ngarkuarat.
”Ne jemi të përgatitur dhe të gjithë partnerët janë organizuar për t’u ofruar mikpritjen më të mirë pasagjerëve,” u shpreh Jeannerat.
Autoritetet rekomandojnë që për fluturimet brenda Evropës udhëtarët të paraqiten të paktën dy orë e gjysmë përpara, ndërsa për fluturimet transatlantike apo ato afatgjata, të paktën tri orë përpara, duke llogaritur gjysmë ore shtesë për shkak të volumit të lartë të kontrolleve.
Problem mbeten vonesat në pistë: Ndryshon rregullorja vitin e ardhshëm
Përtej masave menaxhuese, një shqetësim në rritje mbeten vonesat e gjata të avionëve direkt në pistë përpara nisjes (të njohura si tarmac delays), një fenomen që ka prekur qindra pasagjerë edhe në Gjenevë, por që po shënon shifra rekord globalisht gjatë këtij viti.
Aktualisht, legjislacioni europian (i cili zbatohet edhe në Zvicër) kompenson pasagjerët vetëm për vonesat në mbërritje që kalojnë tri orë. Megjithatë, Antonello Laveglia, zëdhënës i Zyrës Federale të Aviacionit Civil (OFAC), bëri të ditur se një rregullore e re pritet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. Sipas rregullave të reja, nëse avioni pret në pistë për më shumë se dy orë, pasagjerëve duhet t’u mundësohet zbritja, qasja në tualete dhe shpërndarja e ujit të pijshëm./Albinfo.ch