Përderisa jashtë godinave të Qendrës për Dekontaminimin Kulturor në Beograd, mbahej një protestë e madhe nga serbët, aktori Adrian Morina ka shkëlqyer me shfaqjen e tij “Unë jam vetë grua”.
Afro 200 serbë të enjten mbrëma në Beograd, kishin zbarkuar tek vendi ku kishte nisur festivali “Mirëdita Dobar Dan”. Protestuesit të cilët këndonin këngë nacionaliste serbe, fyerje, sharje e thirrje për vrasje të shqiptarëve, por që kishte edhe rrëmbim të mikrofonit gjatë hapjes së festivalit ka qenë një sinjal se ata nuk e duan këtë aktivitet kulturor i cili ka për synim përafrimin e shqiptarëve dhe të serbëve nëpërmjet artit.
Përderisa kishte trupa të shumta të njësive speciale të cilët kishin krijuar kordone përreth Qendrës për Dekontaminimin Kulturor në kryeqytetin serb, aktori Adrian Morina arriti që në mënyrën më të mirë të mundshme t’i sjellë më shumë se 30 personazhe të shfaqjes “Unë jam vetë grua”, përball një publiku të cilët i ngriti në këmbë akoma pa përfunduar komplet shfaqjen e tij.
“Unë jam vetë grua”, nga regjisori Kushtrim Koliqi vë në pah çështjet e gjinisë dhe identitetit në Kosovë përmes syve të Charlotte von Mahlsdorf, një spiune transgjinore që jeton në Gjermaninë Lindore Komuniste.
Aktori Adrian Morina, i cili ka qenë aktori i vetëm në këtë shfaqje ka thënë se nuk është hera e tij e parë që ka luajtur në Beograd. Sipas tij ata tashmë janë mësuar me atmosferën që krijohet gjatë festivalit, madje ai beson që numri I protestuesve do të rritet në çdo edicion e më shumë.
“Me thanë të drejtën nuk është hera e parë, sigurisht përmbi dhjetë herë kemi luajtur në Beograd në shfaqje të ndryshme. Gjithmonë në ‘Mirëdita, Dobardan është kjo atmosferë, dhe turmat e njerëzve po vijnë gjithmonë duke u rritë edhe besoj se krahas rritjes së turmave do të rritet edhe programi. Të luash në Qendrën për Dekontaminim Kulturor është çdo herë kënaqësi sepse ky vend mbanë emrin e një dramaturge, një kritike e artit, një luftëtare e drejtave të njeriut, dhe njeriu të jashtëzakonshëm” ka thënë për T7 Morina.
Sipas aktorit nuk është e lehtë për publikun që të ketë përballë vetës një shfaqje në gjuhën shqipe e cila përkthehet, e sidomos një shfaqje që ka shumë personazhe brenda. Por, sipas tij në momentin që shikuesit fillojnë që të kapin sensin e shfaqjes atëherë do ta kenë më të lehtë sepse historia e Charlotte është e jashtëzakonshme.
“Kur e kam lexuar tekstin fillimisht jam impresionuar për shkak së teksti ka shumë personazhe, ti nuk e lexon si dramë me shumë personazhe dhe nuk duket vetëm dramë e një aktori dhe menjëherë kam thanë po, po më pëlqen me e bo edhe pse një jetën time asnjëherë nuk kam besuar që kam me punu monodramë nuk më ka pëlqyer si zhanër. Por realisht kjo nuk është monodramë, kjo është një monospektakël”, ka deklaruar aktori.
Ndërkaq regjisori i shfaqjes Kushtrim Koliqi, tha për T7 se gjetja e një aktori me komponentët që i duhen shfaqjes ka qenë shumë e rëndësishme për ti. Ai ka thënë se ishte pikërisht Adrian Morina ai që posedonte inteligjencën dhe sensibilitetin ndaj temës që trajton shfaqja.
‘Faktikisht komuniteti i artisteve në Kosovë nuk është shumë i madh dhe në i njohim shumë mirë kastën e aktorëve që i kemi. Kjo është një nga kastete që është shumë vështirë me e gjetë një aktorë që ka 4-5 komponente që kanë qenë shumë të rëndësishëm për mua. duhet të ketë talentin, mënyrën për ndryshim, duhet të ketë senzibilitetin ndaj temës dhe inteligjencën. Unë mund të përmend edhe dy apo tre emra tjerë, por Adrian Morina është kallëpi i aktorit që i mbulon të gjitha këto kritere që unë kam dashtë me i gjete të aktori”, ka thënë ndër të tjera Kushtrim Koliqi.
“Unë jam vetë grua”, fillimisht u shkrua nga dramaturgu Doug Ëright në vitin 2002, dhe bazohet në një seri intervistash të kryera në fillim të viteve 1990 me Charlotte von Mahlsdorf, një grua transgjinore që ishte një element kyç i shoqërisë LGBTI+ në Berlinin Lindor, dhe një bashkëpunëtore e konfirmuar e Policisë sekrete gjermane.
Historia e Charlotte tregohet përmes një shfaqje një orëshe të gjatë nga aktori Adrian Morina, në të cilën ai interpreton të 30 personazhet, duke filluar me rolin e babait të Charlotte, rolin e tezës dhe dashnorit, rolin e vet si dramaturg, miqtë e Charlotte, ushtarët nazistë dhe oficerët e Stasit (policisë sekret gjermanë). Personazhet shfaqen ngjitur shpinë për shpine, dhe nganjëherë që të tre në të njëjtën kohë. /GazetaExpress/