A po bie miti i agjentit 007 dhe si duket spiunazhi modern - Gazeta Express

Mistere

Gazeta Express

24/06/2021 1:55

A po bie miti i agjentit 007 dhe si duket spiunazhi modern

Mistere

Gazeta Express

24/06/2021 1:55

Nuk ka më si spiunët e dikurshëm. Dikur ishte Mata Hari, që në sallonet e sofistikuara të Bella Epoque vidhte sekretet e admiruesve të saj të fuqishëm.

 Ajo pati një jetë të mirë, por pësoi një fund të keq, e lidhur pas një druri në oborrin e kalasë së Vinsenës më 15 tetor 1917, përpara një toge të përbërë nga 12 pushkatarë francezë që hezitonin të qëllonin mbi të.

Atmosferat koloniale të Perandorisë Britanike nuk kishin përfunduar ende, dhe agjentë të fshehtë si shkrimtari Rudjard Kipling, vëzhguan me vëmendje, me bashkëpunimin e dhjetëra Kim Filbëve të paharrueshëm, lëvizjet e rusëve në territoret e ndërmjetme.

Luftërat botërore sollën morinë e spiunëve gjenialë, ai admirali nazist, Vilhelm Kanaris, apo të sekreteve të ruajtura në Bletchley Park, ku protagonist ishte Alan Turing. Më pas erdhi koha e Xhejms Bondit, një projeksion autobiografik i krijuesit të tij Jan Fleming, që bëri historinë e kinemasë me aktorët njëri më i spikatur se tjetri, në mënyrë të veçantë me fytyrën e të paharruarit Shon Koneri që na mungon aq shumë.

Janë të shumë baballarët e këtij zhanri të letërsisë. Nga Xhejms Kuper, autori i të famshmit “I fundmi i Mohikanëve”, me librin “Spiuni” tëvitit 1821, me ngjarjen e vendosura gjatë Luftës Amerikane të Pavarësisë, tek Xhozef Konrad në vitin 1907 me një libër me të njëjtin titull.

Protagonistët e vërtetë ose të imagjinuar të historive me spiunë, shprehin një gamë të gjerë personazhesh dhe një mori motivimesh. Ngjarjet politike italiane,e kanë rikonfiguruar disa herë gjatë dekadave skemën e shërbimeve të inteligjencës, historia e të cilave ilustrohet zyrtarisht në faqen e internetit të qeverisë.

Nga bibliografia thelbësore mbi shërbimet italiane, spikat trilogjia “Historia e shërbimeve sekrete italiane, nga bashkimi i Italisë tek sfidat e shekullit XXI” nga Antonela Vilasi, eksperte e shërbimeve që jep mësim në Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2011 Vilasi botoi “Manualin e Inteligjencës”, që analizon synimet e shërbimeve sekrete në demokracitë moderne perëndimore. E intervistuar në vitin 2012 nga Çincia Fik, kur u pyet nëse shërbimi sekret është ende një botë kryesisht mashkullore, Vilasi u përgjigj: “Jo. Drejtori i përgjithshëm i shërbimit sekret zviceran është një grua. Shërbimet sekrete britanike kishin dy gra që merreshin me menaxhimin e përgjithshëm të punëve. Në Itali diçka ndryshoi kur Vitorio Stelo, ish-drejtori i SISDE, caktoi një grua si zëvendësen e tij disa vjet më parë. Në Evropë, inteligjenca nuk është më një prerogativë e burrave. Dhe inteligjenca rozë bëhet ndryshe. Më e plotë. Pasi ne gratë kemi një shqisë të gjashtë, të cilën burrat nuk e kanë”.

Bota e shërbimeve dhe subjekti i spiunazhit, u rikthyen në titujt e medieve të martën e javës së kaluar me arrestimin e kapitenit të fregatës së marinës italiane, Valter Biot, së bashku me një zyrtar të forcave të armatosura ruse. Ata akuzohen për vepra spiunazhi. Kjo ngjarje ka gjasa të ketë pasoja negative në marrëdhëniet e Italisë me Rusinë e Vladimir Putinit.

Shuma prej 5 mijë eurosh të sekuestruara gjatë takimit që u zhvillua në një parking në Romë, mes Biot dhe agjentit rus, duket aq e vogël sa është patetike, aq sa mund të jetë një këst i mundshëm i shërbimeve të mëparshme.

Ajo e rrëzon edhe mitin e një spiunazhi kinematografik, si ai që tregohet në filmin e famshëm“Misioni i pamundur” (Mission Imposible), bazuar në transaksione prej miliona dollarësh, në vende luksoze në botë të rrethuara nga spiune të bukura me një hijeshi vdekjeprurëse.

Këtë herë historia e vërtetë, duket se ngjan më shumë me peripecitë e Rrobaqepësit të ngathët të Panamasë apo të Njeriut të dëshpëruar në Havanë, njerëz të ngratë që kanë hyrë në botë më të mëdha se ata vetë, dhe që në fund shpenzimet do të paguhen po nga ata.

Në romanin e Graham Grin të vitit 1958 (Njeriu ynë në Havanë), protagonist është Xhejms Uormold, një shitës fshesash me korrent i rrënuar nga problemet ekonomike, por edhe problemet e shkaktuara nga vajza e tij adoleshente, një katolike e zjarrtë por edhe materialiste, e fiksuar pas jetës së luksit, dhe për të cilën ai duhet të kujdeset vetëm pasi u braktis nga e shoqja.

Ai pranon të rekrutohet nga shërbimet sekrete britanike për të fituar para, dhe për të qëndruar në lojë ai fillon që të shpikë zbulime të bujshme. Duke mos qenë në gjendje të gjejë asgjë, shpik informacione dhe një rrjet bashkëpunëtorësh, derisa arrin të dërgojë në Londër modelet e një makinerie luftimi të bazuar në skemën e një fshese me korrent.

Shumë shpejt përfundon midis dyshimeve të MI6 mbi punën e tij dhe hetimit të kapiten Segura, një polic kuban i kundër-spiunazhit, që është i dashuruar me vajzën e Uormold. Në fund, ishte vetëm sikleti nga zbulimi i një historie kaq qesharake për opinionin publik, që i shtyu shërbimet britanike ta shpërblejnë Uormoldin me një punë të përhershme në Londër, ku ai gjithashtu mund të martohet me Beatriçen, një agjente të dërguar në Kubë për të kontrolluar atë, dhe që bie shpejt në dashuri me të dhe paguan shkollën e vajzës së tij.

Si përfundim, duket se përveç romaneve dhe filmave, duhen edhe kritere të një lloji krejt tjetër për të qenë një spiun, siç janë ato të “Pesëshes së Kembrixhit”, agjentët sekretë të dyfishtë britanikë, që duke filluar nga vitet 1930, filluan që t’i transmetonin Bashkimit Sovjetik informacione të rëndësishme të inteligjencës britanike.

Ata ishin:Kim Filbi (me nofkën Stenli), Gai Barxhes (Hiks), Donald Maklin (Homeri), Entoni Blunt (Xhonson) dhe Xhon Kairnkros (List). Ata u njohën me njëri-tjetrin në universitetin prestigjioz britanik, ku parimet e Revolucionit të Tetorit po dominonin në vitet 1930 duke ndikuar tek shumë të rinj të shtresës së lartë,të cilët të shtypur nga një mjedis shoqëror tipikisht i ngurtë dhe snobist, filluan të kërkonin liri dhe zakone sociale më të gjera, duke e përqafuar ideologjinë komuniste që në sytë e tyre karakterizohej nga mungesa e plotë e dallimeve klasore, dhe për këtë arsye kishte një mjedis shoqëror krejtësisht të kundërt me atë britanik.

Ata i bënë shumë dëm NATO-s. Edhe sot, me gjithë shembjen e Bashkimit Sovjetik, “Spiunët e Kembrixhit”, që i shërbyen vendit të tyre vetëm për ta tradhtuar atë, kujtohen me shumë admirim nga shërbimet sekrete ruse, të cilat vazhdojnë të nderojnë punën nga e cila ata përfituan shumë.

Ata ishin një mit për Putinin e ri, që u rrit nën mbrojtjen e kreut të frikshëm KGB-së Juri Andropov në bodrumin e izoluar të Pallatit Lubjanka në sheshin e Moskës, ku midis viteve 1958-1990 qëndronte statuja e Feliks Xhërxhezinskit, themeluesit të policisë sekrete sovjetike në vitin 1926.

Statuja u hoq prej andej në vitin 1991 nga protestuesit liberalë pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit kundër Mikhail Gorbaçov. Po mbaronte një epokë dhe mesa duket po niste një e re, edhe me këshillën që iu dha Lorenc Feringeti revolucionarëve të kohës së tij: “Zhvidhosini bravat e dyerve, por mos rruani menteshat!”.

Po kështu ndodhi në Rusinë oligarkike të carëve të rinj të sapo-kurorëzuar.

Jo vetëm dinakëri, por edhe kulturë e thellë, mendim i menjëhershëm, veprimi i analizuar thellë dhe aftësi për t’u fshehur, një kompleks dhuntish që vjen nga larg, dhe për të cilat unë besoj se rezonon në të gjitha shkollat e agjentëve sekretë të botës,në nderim të arketipit tëçdo spiuni që respekton veten, të atij njeriu me një inteligjencë shumëformëshe, që duket se u thotë me tallje spiunëve të sotëm:hiqni dorë amatorë!

Marrë me shkurtime nga “Linkiesta” –Bota.al