Simone Inzaghi ka reaguar për të shuar spekulimet rreth një rikthimi të mundshëm në futbollin italian, duke këmbëngulur se mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj Al-Hilalit, pavarësisht eliminimit të klubit saudit nga Liga e Kampionëve e Azisë me penallti ndaj Al-Saddit të drejtuar nga Roberto Mancini.
Ish-trajneri i Interit, emri i të cilit është lidhur me pankinën e Kombëtares së Italisë dhe disa klubeve të Serie A pas zhvillimeve të fundit, ishte i qartë kur u pyet për të ardhmen e tij.
“Do të qëndroj tek Al-Hilali sepse po bëj punën time në mënyrën më të mirë të mundshme dhe po jap gjithçka nga vetja”, u shpreh ai, sipas “FCInter1908”.
Humbja ndaj Al-Saddit me penallti ka qenë padyshim e dhimbshme, sidomos duke marrë parasysh rrethanat e ndeshjes.
Ky rezultat nuk do të ndihmojë në uljen e presionit mbi Inzaghin në një klub ku pritshmëritë janë jashtëzakonisht të larta.
Megjithatë, deklarata e tij publike për përkushtim ndaj projektit tregon se ai nuk ka ndërmend ta përdorë këtë dështim si arsye për t’u larguar, të paktën për momentin.
Pozita e trajnerit te Kombëtarja e Italisë është bosh, pasi Gennaro Gattuso dha dorëheqje para dy javësh.
Gattuso u largua nga Kombëtarja italiane, pasi dështoi në finalen e “play-offit” të Botërorit 2026, duke u eliminuar në penallti nga Bosnjë dhe Hercegovina./GazetaExpress/