Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka deklaruar se janë të gatshëm ta zgjedhin presidentin, mirëpo nga opozita nuk kanë marrë ende një emër konkret për atë pozitë, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës, me mosardhjen e tyre në seancë, po bën “show”.
“Kemi marrë një ftesë në ora 17:00. Diskutohet halli kryesor që e kemi, pra të gjendet një rrugë e logjikshme, e kapshme dhe një rrugë që tregon se e kemi seriozisht Kosovën. Por ‘show’, dita e fundit, po mendoj ‘show’. Ata po thonë tash që e kanë një emër. Në seancë thanë që nuk vijnë, tash i bie që ata po bëjnë ‘show’”, tha Kraki.
I pyetur nëse do ta votojnë Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, Kraki tha se nuk kanë marrë asnjë propozim konkret dhe se Osmani nuk ka qenë ende si opsion.
“Vjosa Osmani nuk është duke ardhur si opsion, po mendoj. Ende nuk kemi marrë propozime konkrete as nga PDK, as nga LDK, me thënë ‘hajdeni, këtu i keni emrat, t’i mbledhim, t’i bëjmë nënshkrimet’. Domethënë, s’ka ndodhur asgjë ende. Nuk dihet as emri, as nga kush propozohet. Pra, jemi në pikën zero. Realisht, partitë duhet të dëshmojnë më shumë seriozitet. Jo se emrat e Vetëvendosjes janë ata që ishin, por ne kemi treguar që po tërhiqemi, mund të tërhiqemi nga pozicioni fillestar në rast se partitë përballë propozojnë dhe duan të bëhen pjesë e këtij procesi demokratik absolutisht të nevojshëm për të vazhduar tutje. Nuk e kemi luksin të shkojmë në zgjedhje çdo 3-4 muaj”, tha Kraki, raporton Ekonomia Online.