Abrashi: Nëse bëhet qeveria Hoti, planifikohen 400 milionë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë - Gazeta Express
string(89) "abrashi-nese-behet-qeveria-hoti-planifikohen-400-milione-euro-per-rimekembjen-e-ekonomise"

Abrashi: Nëse bëhet qeveria Hoti, planifikohen 400 milionë euro për rimëkëmbjen e ekonomisë

Gazeta Express

21/05/2020 13:45

Deputeti dhe Sekretari organizativ i LDK-së, Arban Abrashi, është deklaruar për media pas takimit që e thirri Avdullah Hoti, kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ai tha se Qeveria Hoti synon që deri në vjeshtë të ndajë 400 milionë euro dhe ka treguar se rimëkëmbjen e bazojnë në dy shtylla kryesore.

Lexo Edhe:

Abrashi i LDK-së, gjithashtu, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Kurti duke thënë se çdo ditë kreu i VV-së si kryeministër po shkakton dëme për bizneset.

“Programi qeverisës do të ketë dy shtylla. E para për menaxhimin e pandemisë, ku synojmë të përfshijmë të gjitha protokollet, sidomos ato të Komisionit Evropian dhe e dyta, rimëkëmbjen ekonomike. Çdo ditë e humbur me qeverinë Kurti po shkakton dëme ekonomike për bizneset, synojmë të kemi një pako gjeneroze, ku deri në vjeshtë do të shpërndajmë së paku 400 milionë euro, e më të kalojmë edhe te një miliardshi, që e ka përmendur kryeministri Hoti”, ka thënë Abrashi.

Hoti sot gjatë ditës tha se qeveria me të në krye do të investojë për rimëkëmbje ekonomike, krizë e cila është shkaktuar nga pandemia.

“Në programin për rimëkëmbje ekonomike te Qeverisë së re kemi paraparë dyfishim të të gjitha subvencioneve në bujqësi, krahas masave për mbështetje të kredive bujqësore dhe investimeve në sisteme të ujitjes”, tha sot gjatë ditës Hoti përmes një njoftimi në Facebook.

Dekreti i presidentit Thaçi për nominimin e Avdullah Hotit si kryeministër është pezulluar nga masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, derisa pritet të dihet epilogu pas vendimit final të Kushtetueses rreth asaj nëse do të shkohet në zgjedhje të reja apo do t’i jepet e drejta LDK-së të krijojë qeverinë e re. /Express/