Të vërtetat e dhimbshme - Gazeta Express
string(23) "te-vertetat-e-dhimbshme"

Gazeta Express

17/04/2020 10:21

Të vërtetat e dhimbshme

Gazeta Express

17/04/2020 10:21

Militantët e partive, e as politikanët nuk duan t’i dëgjojnë të vërtetat që i bëjnë të ndihen keq. Të vërtetat që shpërfaqin hipokrizinë, rrenat dhe mungesën e konsistencës. Të vërtetat që tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Të atyre që nuk zgjedhin rrugë as mjete për t’i arritur qëllimet e veta. Andaj sulmojnë dhe kërcënojnë.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Pushteti i ndryshon njerëzit, thonë dhe kjo më së miri mund të vërehet në Kosovë. Jo vetëm pushteti, por edhe dëshira për të marrë pushtet i tjetërson ata, i bën të përbijnë çfarë kanë pështyer vite me radhë, i bën t’i lëvdojnë ata që i kanë sharë dhe t’i shajnë ata që i kanë lëvduar.

Nuk ka kohë më të përshtatshme për të parë gjithë maskarallëkun e politikës kosovare, sesa në këto momente krize politike, që shpërtheu në vlugun e krizës së pandemisë. Nuk ka kohë më të përshtatshme për të parë gjithë papërgjegjësinë e sojit të politikanëve që nuk zgjedhin rrugë as mjete për t’i arritur qëllimet e veta, qoftë edhe me çmimin e rrezikimit të jetës së qytetarëve.

Politika kosovare ka shumë rrena brenda, shumë shantazhe, kërcënime, përgojime. Ka shumë hipokrizi, idiotësi, krim, premtime të pambajtura, vardisje, nënshtrime, katapultime. Ka pak parime, e pak moral.

Psh. Hashim Thaçi nuk e ka fort në qejf t’i përmenden akuzat që dikur ia bënte LDK’ja, e njëjta parti që më pas e katapultoi në postin e presidentit. Albin Kurti e VV nuk kishin dëshirë që, kur paralajmëronte koalicionin me LDK’në, t’i përmendeshin epitetet për Isa Mustafën dhe veprimet kundër tij. Isa Mustafa nuk ka qejf t’ia përmendin Fondin e Trepërqindëshit, për të cilin ende nuk ka dhënë llogari e përgjegjësi. Kadri Veseli nervozohet kur ia përmnendin SHIK’un. Ramush Haradinaj me zor i pranon të vërtetat e dhimbshme për keqqeverisjen, korrupsionin e nepotizimin, ngjashëm si dhe Fatmir Limaj.

Por, kur vjen puna te pushteti, të gjithë këta harrojnë ato çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin. Harrojnë çfarë kanë bërë vetë dhe çfarë kanë bërë ata, me të cilët duan ta marrin pushtetin. Në fakt, dëshirojnë të harrojnë, por nuk munden. Sepse ka njerëz që ua sjellin ndërmend, ka media që ua kujtojnë. Në mos për asgjë tjetër, të paktën për ta treguar hipokrizinë e tyre.

* * *

LDK, pasi rrëzoi qeverinë pjesë e së cilës ende është, tash po pret që presidenti t’ia jep shansin që ta krijojë koalicionin e ri. Por, me kë po synon Isa Mustafa ta arrijë këtë? Me AAK’në e Nismën Socialdemokrate dhe me mbështetjen e PDK’së. Pra, me partitë e PAN’it, të cilat vota e qytetarëve më 6 tetor i hoqi nga pushteti. Me partitë, për të cilat pak muaj më parë vetë Mustafa thoshte se i kanë shembur të gjitha urat e bashkëpunimit me BE’në dhe SHBA’të. Me partitë, të cilat një deputet i Mustafës i cilësonte grupe kriminale. Me partitë, të cilat e kanë katandisur

vendin si mos më keq. Me partitë të cilat, bashkë me LDK”në, e kanë lënë sistemin shëndetësor në mjerim dhe rezultatet e keqqverisjes po shihen në këtë krizë pandemie.

Isa Mustafa po synon të bëjë koalicion me Ramush Haradinajn, të cilit ia përmendte Radoniqin, duke aluduar në akuzat që i ka trajtuar dhe ka dhënë një përgjigje Tribunali i Hagës. Po synon të bëjë koalicion me partitë, të cilat synonin të zhbënin Gjykatën Speciale.

Isa Mustafa po synon t’i përmirësojë raportet me SHBA’të bashkë me partitë të cilat, me mënyrën si kanë qeverisur, nuk kanë gjë të përbashkët me vlerat amerikane. Për më tepër, zyrtarë të lartë të lartë të po këtyre partive gjenden në listën e zezë të superfuqisë botërore.

* * *

Kushdo që zgjedh t’i sjell në vëmendjen e publikut të gjitha këto të zeza dhe plot të tjera, edhe më të zeza se këto, atëherë vihet në shënjestër. Jo veç nga zyrtarë të lartë partiakë, por edhe nga militantë analfabetë e gjysmanalfabetë, të cilët punën e vetme që dinë ta bëjnë është të çirren e të jargisen pas liderëve, me shpresën se mos ua gjuajnë një asht. Mos ua gjejnë një vend pune në ndonjë institucion a ndërmarrje publike.

Në të tilla situata militantët tërbohen. Duan ta mbrojnë me çdo kusht liderin. Natyrisht, duke kërcënuar, fyer, mallkuar, sharë e shantazhuar.

Ata nuk duan që liderit të tyre t’i dalë fytyra e vërtetë, duan të jetojnë në rrenën e madhe se lideri është më i miri, më trimi, më i mençuri, më i forti. Kurse, e vërteta është krejt ndryshe. Lideri i tyre është më rrenci, më hipokriti, më i padishmi, më keqpërdoruesi, më shantazhuesi.

Por ata nuk ndalen. Për kohë të shkurtër të rreshtojnë mes spiunësh e të paguarish, krah Rusisë e Serbisë, sepse këto i kanë argumentet e vetme për t’u kundërvënë. Edhe pse e vërteta nuk mund të fshihet dhe gjithnjë ekzistojnë njerëz që nuk shantazhohen dhe që rrëfejnë të vërtetat e dhimbshme për ta.