Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Phil Jones, beson se ish-bashkëlojtari i tij, Wayne Rooney, nuk e ka marrë ende vlerësimin që e meriton si njëri ndër legjendat e sportit dhe si golashënuesi më i mirë në histori edhe për Manchester Unitedin e edhe për Anglinë.
Për shumë tifozë të futbollit, Wayne Rooney e ka zënë një vend në mesin e legjenda të futbollit modern, pasi kishte dalë në skenë si 16-vjeçar dhe më tutje arriti suksese të shumta në karrierë, transmeton Gazeta Express.
Në Old Trafford, ai cilësohet si njëri ndër sulmuesit më të mirë që i kanë përfaqësuar ndonjëherë Djajtë e Kuq, duke i shënuar 253 gola për gjigantin anglez gjatë karrierës së tij, përderisa i kishte shënuar edhe 53 të tjera për Kombëtaren e Anglisë.
Megjithatë, Jones është në mesin e atyre që besojnë se brilanca e Rooneyt nuk është vlerësuar kurrë sa duhet, përderisa 34-vjeçari po i afrohet fundit të karrierës së tij mbresëlënëse tani me Derby Countyn.
“Ai është një legjendë e sportit – jo vetëm për Manchester Unitedin, por për të gjithë futbollin. Mendoj se arritjet e tij janë lënë nën hije dhe janë nënvlerësuar paksa”, ka thënë Jones.
“Mendoj se ai kurrë nuk është vlerësuar ashtu siç duhet, duke marrë parasysh që është golashënuesi më i mirë në histori të Anglisë dhe për të gjitha golat që i ka shënuar për Unitedin dhe trofetë që i ka fituar”.
“Ai ishte i pabesueshëm dhe kur ai po i bënte këto gjëra për Anglinë dhe Manchester Unitedin, njerëzit ende kishin dyshim te ai. Por, mendoj se tani njerëzit po e vlerësojnë me të vërtetë atë që ai e bëri për Unitedin dhe për futbollin”. /Gazeta Express/