Agjenti i Lautaro Martinezit, Alberto Yaque, pretendon se ai nuk është në negociata me klubet e mëdha të Evropës për një transferim, përkundër që e pranuar se klientit të tij do t’i kishte pëlqyer të luante përkrah Lionel Messit.
Qendërsulmuesi 22-vjeçar është bërë yll në Serie A gjatë këtij sezoni, duke i shënuar 16 gola në të gjitha garat, pasi kishte dështuar të arrinte numër dyshifror të golave të shënuara gjatë sezonit të kaluar, transmeton Gazeta Express.
Zhvillimi i shpejtë i Lautaros ka bërë që ai ta tërheqë vëmendjen e shumë klubeve të mëdha të Evropës. Mediat e mëdha evropiane të sportit kanë raportuar se 22-vjeçari dëshiron t’i bashkohet klubit katalonas, pasi që dëshiron të luajë përkrah bashkëkombësit të tij Lionel Messi edhe në nivelin e klubeve. E këto spekulime i ka nxitur edhe më shumë sërish agjenti i tij.
“Kujt s’do t’i pëlqente të luante me Messin? Kur flet për ndeshjet që i luajnë bashkë me ekipin kombëtar të Argjentinës, ai thotë se është si ëndërr. Imagjinojeni të jesh kaq i ri dhe të luash për Argjentinën dhe me Messin”, ka thënë Yaque.
“Por, ai s’flet shumë për këtë. Ai është një djalosh shumë i rezervuar. Nëse e pyesim se ku dëshiron të luajë, ai nuk na thotë asgjë. Nuk do të ishte e paarsyeshme për klubet e mëdha ta duan atë, por nuk kemi ende asgjë zyrtare”.
Martinez ka klauzolë për shkëputjen e kontratës me klubin prej 111 milionë eurosh. Kjo klauzolë është e vlefshme për të gjitha klubet jashtë Italisë, megjithatë Barcelona s’është e gatshme ta paguajë një shumë të tillë, për shkak se do të binte ndesh me rregullat financiare të UEFA-s.
Gazeta italiane Tuttosport raporton se klubi i La Ligas do t’ia ofrojë Interin disa lojtarë të vet për ta zbritur çmimin për Martinezin. Barcelona dëshiron t’i përfshijë Nelson Semedo, Arthur, Arturo Vidal, Carles Alena dhe Jean-Clair Todibo në marrëveshje. /Gazeta Express/