Edhe 19 persona në pritje të rezultateve në Malishevë, Begaj nuk është në dijeni se Kurti do të shkojë atje - Gazeta Express
string(106) "edhe-19-persona-ne-pritje-te-rezultateve-ne-malisheve-begaj-nuk-eshte-ne-dijeni-se-kurti-do-te-shkoje-atje"

Edhe 19 persona në pritje të rezultateve në Malishevë, Begaj nuk është në dijeni se Kurti do të shkojë atje

Liridonë Çeta

08/04/2020 14:28

Malisheva është vendi i cili ka më së shumti persona të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë. 64 persona janë konfirmuar me koronavirus në këtë komunë, derisa 9 prej tyre tashmë janë shëruar. Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj ka thënë për Gazetën Express se 19 persona po i presin rezultatet e testimeve për koronavirus

Është vendi i cili ka më së shumti persona të prekur me koronavirus në Kosovë. Pothuajse çdo ditë kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës lajmëron për raste të reja me koronavirus, ka të infektuar nga Malisheva, e kryesisht nga fshati Banjë i kësaj komune.

Lexo Edhe:

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë se janë testuar edhe 19 persona të dyshuar për koronavirus, ndërkaq po priten rezultatet e këtyre testimeve.

“Janë 64 raste të personave të prekur me COVID-19 në Malishevë. 9 janë shëruar deri më tani. Sot janë testuar edhe 19 persona nga fshati Banjë, jemi në pritje të rezultateve”, ka thënë Begaj.

Begaj ka thënë se për rastet të cilat dolën pozitive para dy ditësh në Malishevë, ende nuk dihet burimi i virusit.

“Për rastet që kanë dalë pozitive pardje nuk dihet ende burimi i tyre, jemi duke i shikuar kontaktet e mundshme”, ka thënë Begaj.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka thënë se të enjten do ta vizitojë Malishevën

Madje Kurti tha se nuk ka shkuar deri më tani në Malishevë, sepse atje ka qenë në vizitë ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Por, për vizitën e paralajmëruar të Kurtit në Malishevë, kryetari Begaj ka thënë se nuk është ende në dijeni.

 “Unë si kryetar i komunës nuk e di ende për vizitën, askush nuk më ka treguar. Zyrtarisht nuk kemi ndonjë informatë se kryeministri në detyrë do të na vizitojë nesër”, ka deklaruar Begaj.

Kujtojmë se deri më tani numri i personave të prekur me virusin COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 184.

Nga 184 persona të prekur, 30 prej tyre kanë arritur të shërohen. Derisa numri i personave të vdekur si pasojë e virusit COVID-19 në Kosovë është 5.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, por edhe infektologët e mjekët tjerë të QKUK-së, në vazhdimësi po bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19./GazetaExpress/