Lionel Messit pritet t’i ulet paga për 70 për qind gjatë kohës së krizës së koronavirusit si pjesë e planit të Barcelonës për t’i përballur dëmet financiare të shkaktuara nga pezullimi i sezonit në botën e futbollit. Lojtarët dhe klubi kanë dhënë propozime të ndryshme dhe vendimi i Barcelonës mund të jetë kyç në vendimin e Messit për të ardhmen e tij në Camp Nou.
E gjitha bota po përballet me krizën e shkaktuar nga përhapja e koronavirusit, që e ka goditur edhe klubin e dytë më të pasur në botë, Barcelonën. Katalonasit planifikojnë t’ua ulin pagën lojtarëve dhe stafit për t’u ballafaquar me dëmet ekonomike që i sjell kjo krizë, transmeton Gazeta Express.
Barcelona ka propozuar që lojtarëve t’ua ulë pagën për 70 për qind gjatë kohës së krizës, përderisa lojtarët ia kanë kthyer përgjigjen klubit duke propozuar që t’u ulen pagat për 30 për qind gjatë gjithë pjesës së mbetur të sezonit. Për momentin, ende s’është arritur marrëveshje.
Klubi e ka bërë të qartë se do të ketë ulje page, të cilat do të ushtrohen në mënyrë retrospektive që nga 19 marsi. Ku e lë kjo situatë Lionel Messin?
Argjentinasi, kontrata e së cilit skadon gjatë verës së vitit 2021, i fiton 500 mijë funte në javë. Paga e tij arrin shumën vjetore prej 31 milionë funtesh, pa përfshirë këtu bonuset.
Barcelona aktualisht radhitet me dy pikë epërsi në krye të La Ligës, mirëpo marrëdhenia jo e mirë mes klubit dhe lojtarëve e ka sjellë në qendër të vëmendjes një klauzolë në kontratën e Messit, që ia lejon futbollistit të largohet falas këtë verë edhe pa dëshirën e klubit.
Zhveshtorja e Barcelonës është e ndarë, shkruan Sky Sports, dhe tani që pritet të vendoset për ulje të pagave të lojtarëve dhe stafit, shumëçka varet nga mënyra se si e sheh Messi vendimin e klubit katalonas.
Messi ka bërë të ditur se dëshiron ta zgjasë karrierën e tij në Barcelonë më shumë, mirëpo ai dëshiron të jetë pjesë e një skuadre që garon në kampionat vendor dhe në Evropë në të njëjtën kohë, pasi që për herë të fundit e ka fituar trofeun e Ligës së Kampionëve në vitin 2015.
Në një intervistë të dhënë në fillim të këtij viti, Messi tha se me këtë skuadër Barcelona s’do të mundë ta fitojë trofeun më prestigjioz të futbollit në Evropë dhe kjo mund të ndikojë në vendimin e Messit këtë verë. /Gazeta Express/