Fitojnë Feronikeli e Gjilani, mposhtet Llapi në Ferizaj - Gazeta Express
string(54) "fitojne-feronikeli-e-gjilani-mposhtet-llapi-ne-ferizaj"

Fitojnë Feronikeli e Gjilani, mposhtet Llapi në Ferizaj

Gazeta Express

29/02/2020 15:02

Xhiroja e 20-të e Ipko Superligës së Kosovës në futboll i solli tri ndeshje interesante të shtunën në orën 13:00, në të cilën triumfuan Feronikeli dhe Gjilani, ndërsa Llapi pësoi disfatë si mysafir në Ferizaj në ndeshjen që u shty nga dje shkaku i reshjeve të borës.

Feronikeli 3:0 Trepça ‘89

Lexo Edhe:

Feronikeli u kthye nga disfata zhgënjyese e xhiros së kaluar kundër Llapit duke siguruar fitore me epërsi 3:0 kundër Trepçës ’89, sot në stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas, raporton Gazeta Express.

Trepça ’89 e pati të vështirë t’i rezistojë presionit nga lojtarët e Feronikelit, të cilët i patën disa raste për të shënuar, e veçanërisht pas ndëshkimit të Lassine Traores me karton të kuq në minutën e 26-të të ndeshjes.

Golin e parë e shënoi Mendurim Hoti në minutën e 50-të të ndeshjes, ndërsa po i njëjti futbollist më vonë e goditi shtyllën. Në fund të ndeshjes, Mevlan Zeka dhe Albert Dabiqaj e vulosën këtë fitore për Feronikelin, me golat e shënuar në kohën shtesë.

Dukagjini 0:4 Gjilani

Fitoren më bindëse sonte e siguroi Gjilani si mysafir në Klinë ndaj Dukagjinit në stadiumin “18 qershori”, për ta dëshmuar se nuk është dorëzuar në garën për titull.

Golat e fitores për Gjilanin i shënuan Tomislav Busic në minutën e dytë, Plaku në minutën e 25-të, Franc Veliu në minutën e 79-të dhe Gerhard Progni në minutën e 89-të.

Ferizaj 2:0 Llapi

Llapi pësoi disfatë zhgënjyese për t’ia dëmtuar shpresat për t’iu afruar kreut të Ipko Superligës së Kosovës në Ferizaj, ku u mposht me rezultat 2:0 në ndeshjen që fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej dje.

Vendasve ua dha fitoren Dren Gashi me dy golat e tij – të parën e shënoi qysh në minutën e tretë të lojës, ndërsa të dytën e shënoi në minutën e 55-të.

Derbi i kësaj xhiroje do të zhvillohet në orën 17:00 mes Prishtinës dhe Ballkanit në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë. /Gazeta Express/