Në orën 16:00 në Kuvend të Kosovës do të mbahet takimi i radhës në mes të Albin Kurtit, kreut të VV-së, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, si përpjekje për arritje të koalicionit qeverisës, merr vesh Gazeta Express nga burime brenda partive
Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i intensifikojnë takimet si përpjekje për arritje të koalicionit qeverisës, tash kur kanë mbetur edhe dy javë deri në seancën konstituive.
Kurti dhe Mustafa u takuan dy ditë më parë, pas një pauze njëjavore, derisa, e vetmja çështje për të cilën u morën vesh nuk ishte ajo e koalicionit, por, që dy liderët do të vazhdojnë të shihen që të merren vesh për çështjet që u kanë mbetur, të qeverisin bashkë.
Se do të shihet me Mustafën ka deklaruar sot gjatë ditës edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, pas regjistrimit në Kuvend të Kosovës.
Kurti tha para mediave se për çdo ditë do të ketë takime, mirëpo nuk pranoi të tregonte orën se kur do të shihet me Mustafën, kjo me pretekstin se nuk është lajm se këta dy do të takohen, por arritja e marrëveshjes.
LV-ja dhe LDK-ja janë duke vazhduar diskutimet për arritje të marrëveshjes së koalicionit, mirëpo problem për të përfunduar këtë temë u ka dalë me pozitën e presidentit, post ky i kërkuar nga LDK-ja.
LDK-ja kishte zgjedhur fillimisht MPB-në, pastaj Ministrinë e Arsimit, Bujqësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Planifikimit Hapësinor.
VV-ja, ndërkaq, zgjodhi Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Financave, Zhvillimit Ekonomik, Shëndetësisë dhe Drejtësisë.
Nuk dihet nëse këto ministri që thuhet se kanë zgjedhur liderët në takimin e fundit do të qëndrojnë të ndara njësoj në mes të partive, edhe në takimin e ardhshëm që parashihet të mbahet në mes të Kurtit e Mustafës, e ku diçka do të vendoset edhe për postin e presidentit. /GazetaExpress/