Ish-spiuni i BIA-s regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës, Prokuroria Speciale s’e heton - Gazeta Express
string(93) "ish-spiuni-i-bia-s-regjistrohet-si-deputet-i-kuvendit-te-kosoves-prokuroria-speciale-se-heton"

Arbër Jashari

13/12/2019 15:17

Ish-spiuni i BIA-s regjistrohet si deputet i Kuvendit të Kosovës, Prokuroria Speciale s’e heton

Arbër Jashari

13/12/2019 15:17

Branislav Nikolic, i cili ka shërbyer si këshilltar i presidentit aktual Hashim Thaçi, ishte shkarkuar nga ky i fundit në qershor të këtij viti, pasi u raportua se Nikolic kishte qenë agjent i shërbimit sekret serb (BIA). Nikolic ka qenë në garë për deputet të Kuvendit të Kosovës si pjesë e Listës Serbe në zgjedhjet e gjashtë tetorit. Ai ka arritur të bëhet deputet duke marrë 14 mijë e 419 vota. Kurse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka thënë për Gazetën Express se nuk ka iniciuar kurrfarë procedure hetimi lidhur me veprimtarinë e deputetit të zgjedhur Branislav Nikolic si pjesë e BIA-s serbe

Branislav Nikolic është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, duke arritur të marrë gjithsej 14 mijë e 419 vota, për mandatin e fituar të të cilit Gazeta Express kishte raportuar e para.

Që nga viti 2016 kur Hashim Thaçi ishte zgjedhur president i Republikës së Kosovës, Branislav Nikolic, kishte qenë pjesë e kabinetit të Thaçit si këshilltar i tij.

Shkarkimi i tij erdhi pasi Televizioni T7 kishte raportuar se Nikolic kishte qenë pjesë e shërbimit të Inteligjencës së Serbisë (BIA).

Në njoftimin për shkarkimin e tij, zyra e Thaçit kishte thënë se nuk ka pasur informacione paraprake lidhur me zyrtarin që ka këshilluar presidentin për tre vjet rresht.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës konfirmon se nuk ka pasur asnjë informacion paraprak dhe zyrtar nga institucionet e sigurisë në Kosovë për përfshirjen e mundshme të z. Branislav Nikolic në aktivitete të dyshimta, për të cilat është raportuar në media”, thuhej në përgjigjen e zyrës së Thaçit.

Nga certifikimi i zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Lista Serbe ka fituar të gjitha 10 ulëset e garantuara me Kushtetutë për komunitetin serb në Kuvend.

10 deputetët e rinj të Listës Serbe janë regjistruar në Kuvendin e Kosovës si pjesë e legjislaturës së shtatë që pritet të konstituohet më 26 dhjetor, datë kjo e caktuar nga presidenti Thaçi.

Gazeta Express ka kontaktuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë, përkatësisht Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me ish-agjentin e BIA-s serbe, Branislav Nikolic.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, ka thënë për Express se nuk është hapur asnjë rast hetimi për deputetin e zgjedhur Branislav Nikolic për të cilin është raportuar se ka qenë punëtor i shërbimit sekret serb.

“Mund t’ju konfirmoj se Prokuroria Speciale ende nuk ka iniciuar asnjë rast që ka të bëjë me deputetin e zgjedhur të Listës Serbe, Branislav Nikolic”, tha Lutfiu.

Gazeta Express ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, se a ka mbledhur informata lidhur me deputetin e zgjedhur nëse i njëjti cenon sigurinë e Republikës së Kosovës duke qenë pjesë e organit më të rëndësishëm të shtetit, por që institucioni më i lartë i sigurisë në Kosovë nuk ka kthyer përgjigje.

Ndaj zgjedhjes së Branislav Nikolicit si deputet i Kuvendit kishte reaguar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ai në një konferencë të partisë së tij kishte thënë se është për keqardhje lajmi që një ish-spiun i BIA-s serbe të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës.

“Ne me keqardhje e kemi marrë këtë informatë që dikush që konsiderohet se ka qenë punëtor i BIA-s serbe të vijë të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës, por nuk është në fuqinë e as në vullnetin e LDK-së. Me qenë në vullnetin tonë kjo nuk do të kishte ndodhë, mirëpo ligji dhe Kushtetuta duhet të veprojë, ashtu siç vepron ligji ashtu do të veprojmë edhe ne”, kishte thënë Mustafa. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement