Deputeti i Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, ka treguar se çfarë është folur në konferencën e mbajtur në Tiranë, në të cilën ishte i pranishëm edhe shefi i Zyrës për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.
Fotoja e tij i ulur në një tavolinë me Gjuriqin është bërë temë e diskutimeve në Kosovë. E Sveçla është sqaruar për takimin e tij me mohuesin e pavarësisë së Kosovës.
“Në këto takime në Tiranë është folur për marrëdhëniet rajonale dhe integrimin e Ballkanit në BE. Takimi nuk ishte për kafe, ishte darkë pune në hotelin ku mbahej konferenca. Ishte çështje protokolli. Nuk mendoj që kjo do të duhej të ndikojë në qasjen tonë. Për mua më me rëndësi është se çfarë qëndrimi politik kemi pasur se sa kush ku është ulur”, ka thënë Sveçla.
“Nuk kishte asgjë të bënte me dialogun Kosovë-Serbi apo me statusin e Kosovës, por vetëm me politika rajonale. Nuk është hera e parë që VV merr pjesë në konferencat e organizuara nga kjo organizatë. VV dhe organet e saj zgjedhin se kush përfaqëson subjektin në këso konferenca, dhe kësaj radhe më zgjodhën mua. Aty ishin përfaqësues të parlamenteve rajonale”
“Ky takim tani po përdoret nga kundërshtarët e koalicionit qeverisës dhe kundërshtarët e Kurtit. Unë nuk po sulmohem personalisht por VV’ja dhe Kurti” /Express/