Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thënë se ka marrë konfirmim nga Afganistani që nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel.
Sipas një njoftimi në Facebook, Pacolli ka thënë se ky bojkot vjen pasi shkrimtari Peter Handke mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit.
“Pas Shqipërisë, Turqisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut, sonte kam marrë një telefonatë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Afganistanit Idrees Zeman i cili më njoftoi se ai ka udhëzuar Ambasadorin e tyre në Suedi që të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit Nobel të Letërsisë për Peter Handke i cili mbështeti politikat gjenocidale të Millosheviqit”, ka shkruar ai.
Në ceremoninë e organizuar nga Akademia e Shkencave në Suedi për ndarjen e çmimeve Nobel nuk do të marrë pjesë as Maqedonia e Veriut, Kroacia, Shqipëria dhe Turqia.
Kryediplomati kosovar ka falëndëruar Maqedoninë e Veriut për këtë vendim.
“Falemnderit Nikola Dimitrov për bojkotimin e ceremonisë për ndarje të çmimieve Nobel. Maqedonia ka qëndruar me ne në kohërat më të vështira, gjatë viteve ’98-99, kur Millosheviq kreu krime në Kosovë. Handke nuk ka përkrahur viktimat si Maqedonia e Veriut, por e ka përkrahur Millosheviqin”, ka shkruar Pacolli në Tëitter.
Arsyeja e bojkotimit të këtij eventi, të gjitha këto shtete kanë deklaruar se është dhënia e çmimit Nobel për shkrimtarin Handke, i cili ka përkrahur politikat e liderit kriminel serb, Sllobodan Millosheviq, gjatë viteve të ’90-ta.