Një basketbollist francez, i cili më parë ka luajtur në NBA, është dënuar me një gjobë prej 1400 dollarësh nga zyrtarët e sportit në Kinë për shkak se nuk e shikoi flamurin shtetëror kinez gjatë intonimit të himnit kombëtar para fillimit të një loje.
Lojtarët që janë nën autoritetin e Federatës Kineze të Basketbollit janë të detyruar që ta shikojnë flamurin kinez gjatë intonimit të himnit kombëtar. Megjithatë, basketbollisti Guerschon Yabusele, i cili luan për ekipin “Nanjing Tongxi Monkey King”, u pa duke e mbajtur kokën poshtë gjatë intonimit të himnit.
Qeveria kineze ka marrë masa për forcimin e patriotizmit nën pushtetin e presidentit Xi Jinping. Sipas një ligji të miratuar në vitin 2017, të gjithë ata që nuk e respektojnë himnin shtetëror mund të dënohen me tri vjet burgim.
Ndaj gjestit të këtij basketbollisti pati reagime të ndryshme në rrjetet sociale. Disa persona e dënuan veprimin e tij, ndërsa disa të tjerë e përkrahën.
“Ai është i lumtur që merr të holla nga Kina, por ai nuk e respekton këtë vend”, shkroi dikush në rrejtin e popullarizuar në Kinë, Weibo.
Sidoqoftë, dikush tjetër tha: “Kjo është e pakuptimtë. Së pari, ai nuk është kinez. Së dyti, ai qëndroi në këmbë dhe nuk bëri ndonjë gjest ofendues”, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.