Partia social-demokrate SPD, mbledhur sot në Kongres në Berlin, votoi kundër një daljeje të menjëhershme nga koalicioni që ka formuar me konservatorët e kancelares gjermane, Angela Merkel.
Megjithatë SPD-ja kërkon, sipas mocionit të miratuar me shumicën e delegatëve të partisë, hapjen e diskutimeve me të djathtën për disa tema si politika klimatike, një rritje të pagës minimale apo investimet në shërbimet publike.
SPD-ja, dy drejtuesit e rinj të së cilës, Saskia Esken dhe Norbert Walter-Borjans, të krahut të majtë u betuan sot zyrtarisht, nuk vendosi një afat të saktë për fillimin e mundshëm të këtyre diskutimeve.
Mes kërkesave të tyre për të djathtën CDU-CSU bën pjesë një rritje në 12 euro nga 9,19 aktualisht e pagës minimale. SPD-ja kërkon gjithashtu një rritje të çmimit minimal të certifikatës së ardhshme kombëtare të emetimit të gazit me efekt serrë, për sektorët e pambuluar nga tregu europian i karbonit.
SPD-ja kërkon përveç të tjerave investime prej 450 miliardë eurosh në 10 vjet në shërbimet publike, veçanërisht në arsim, transporte, aksesin në sistemin digjital dhe mbrojtjen klimatike.
Në një studim të fundit të kryer nga ekspertë të industrisë – Data4X, Viva Fresh Store, si një ndër kontribuesit kryesorë, renditet në këtë...