Sot pasdite takohen delegacione të nivelit të lartë politik Vetëvendosje - LDK - Gazeta Express
string(76) "sot-pasdite-takohen-delegacione-te-nivelit-te-larte-politik-vetevendosje-ldk"

Sot pasdite takohen delegacione të nivelit të lartë politik Vetëvendosje – LDK

Gazeta Express

28/11/2019 11:43

Në orët e pasdites së sotme do të takohen delegacione të nivelit të lartë politik në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të shqyrtuar mundësinë e arritjes së një koalicioni për bashkëqeverisje

Besnik VELIU

Lexo Edhe:

Sipas burimeve të Gazetës Express, në këtë takim do të marrin pjesë krerët më të lartë të dy partive, përfshirë kryetarët dhe nënkryetarët. Pra delegacionet e dy partive që do të takohen do të jenë nga 4 deri në 6 persona.

Sipas informatave që ka Gazeta Express gjasat që sot të nënshkruhet koalicioni janë të pakta, megjithatë një gjë e tillë nuk përjashtohet.

Ky takim në mes të LVV-së dhe LDK-së vjen një ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Në takimin e fundit që kishin pasur Isa Mustafa dhe Albin Kurti kishin deklaruar se pas certifikimit të rezultateve, brenda një afati prej 72 orësh do të takohen për të diskutuar rreth arritjes së një koalicioni, meqenëse diskutimet në nivel ekspertësh kanë përfunduar.

Nga Lëvizja Vetëvendosje ndërkohë mbrëmë kanë dalë me një qëndrim pas certifikimit të rezultateve nga KQZ ku thoshin se mëngjesi i së hënës duhet t’i gjejë dy partitë me koalicion të nënshkruar.

Sipas deklaratave të deritanishme dy partitë kanë bashkërenduar 90% të programit, ndërsa kanë mbetur pa u marrë vesh për ndarjen e posteve ministrore dhe disa çështjeve tjera.

Se do të ketë takim e ka konfirmuar edhe Fatmire Kollçaku nga LVV.

“Ne ka gjasa që sot të ndodhë një takim dhe besoj që do të informoheni. Jemi të interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e Republikës së Kosovës. Ju e dini këtë zvarritje të madhe prej dy muajsh dhe vërtetë ne nuk kemi kohë për të humbur. Ne me partnerin e koalicionit tashmë kemi përafruar çështjet programore, ka pasur komunikim dhe do të informoheni shpejt”, ka thënë ajo./Gazetaexpress/