Maloku: Qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së janë pasojë e sjelljeve të Kurtit - Gazeta Express
string(70) "maloku-qendrimet-e-pdk-se-dhe-aak-se-jane-pasoje-e-sjelljeve-te-kurtit"

Lajme

Gazeta Express

07/08/2026 8:25

Maloku: Qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së janë pasojë e sjelljeve të Kurtit

Lajme

Gazeta Express

07/08/2026 8:25

Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ndaj bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje janë pasojë e sjelljes së Albin Kurtit dhe partisë së tij.

Ai ka thënë se, ndryshe nga PDK-ja dhe AAK-ja, Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e gatshme të vazhdojë takimet, por “për të qenë partner dhe jo nënkontraktor”.

“Shpjegimet mund të jenë të ndryshme, por nuk është se të tjerët kanë pasur aq kundërshtim sa ka pasur Albin Kurti dhe partia e tij, refuzim ndaj subjekteve shqiptare, të cilat e duan demokracinë dhe ruajtjen e rolit të tyre në skenën politike si subjekte me autonomi. Lëvizja Vetëvendosje dhe kreu i saj kanë investuar energji të pashtershme për të krijuar narrativa refuzuese ndaj oponentëve në vend. Është refuzues, se nuk mund t’i themi kokëfortë, ngaqë refuzuesi refuzon edhe kur nuk ka arsye, ndërkaq kokëforti megjithatë mban qëndrim të mbështjellë në parime”, ka thënë Maloku për boshnjak “Politicki.ba”

Duke folur për Partinë Demokratike të Kosovës, Maloku ka thënë se kjo parti nuk ka pasur asnjëherë bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, por që nga 9 shkurti 2025 ka treguar konstruktivitet si në takime, ashtu edhe në qasjen ndaj formimit të institucioneve. Ai ka kujtuar se PDK-ja e kishte votuar Dimal Bashën kur Vetëvendosja kishte nevojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa ka shtuar se si Bedri Hamza, ashtu edhe Memli Krasniqi, i janë përgjigjur ftesave për takime të bëra nga Albin Kurti.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk ka pasur bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, por nga 9 shkurti i vitit 2025 ka qenë konstruktive, si në takime, ashtu edhe në përqasjen e saj në raport me formimin e institucioneve. Kur Lëvizja Vetëvendosje kishte nevojë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit, ajo pati votuar ish-kreun e Kuvendit, Dimal Bashën. Ndërkohë, jo veç Bedri Hamza si kryetar aktual i PDK-së, por edhe ish-kryetari Memli Krasniqi iu janë përgjigjur takimeve të thirrura nga Albin Kurti”, tha ai.

“Në takimin e fundit që ndodhi mes kreut të PDK-së, Bedri Hamza, me kreun e partisë së parë, z. Hamza shkoi me vullnet në takim, ndërkaq doli i prerë se do të qëndrojë në opozitë. Kjo situatë u krijua ngaqë në takim, kreu i partisë së parë në asnjë moment nuk zhvilloi bisedime të cilat do ta orientonin mundësinë e bashkëpunimit. Sjellje mjaftueshëm refuzuese për t’u kuptuar!”, tha ai,

Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Maloku ka thënë se kjo parti ka mbajtur një qasje shtetërore, duke mos ia kontestuar të drejtën dhe përgjegjësinë subjektit më të madh për formimin e institucioneve.

“Aleanca ka pasur një qasje shtetërore, duke mos ia prekur as privilegjin e as përgjegjësinë subjektit më dominant në Kuvend, por si kundërpeshë e prezencës së tyre në sallën e Kuvendit, kur të bëhet votimi për presidentin, ata do të ishin prezentë, me kushtin e zotimeve për orientimin strategjik të vendit. Kërkesat e Aleancës kanë prekur jo vetëm nevojat e qytetarëve, por më kryesorja, orientimin strategjik të vendit, që sikur është luhatur mjaftueshëm sa për t’u vërejtur gjatë qeverisjes Kurti I dhe II”, tha ai.

Duke folur për krimet e Serbisë në Kosovë dhe çështjen e të pagjeturve, Maloku ka thënë se kjo mbetet një plagë e rëndë për Kosovën. Ai ka theksuar se Serbia vazhdon të mos e zbatojë Deklaratën e miratuar në Bruksel për zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe se ende ekzistojnë varreza masive nga lufta e vitit 1999, për të cilat Beogradi duhet të japë shpjegime.

“Të pagjeturit po vazhdojnë të jenë plagë e rëndë për Kosovën. Serbia po vazhdon të mos e jetësojë Deklaratën e miratuar në Bruksel, që parasheh bashkëpunimin e saj në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Është e dhimbshme të kujtojmë se ende ka varreza masive nga lufta e vitit 1999 dhe për të cilat Serbia duhet të japë shpjegime. Reagimet e Beogradit zyrtar vazhdojnë të jenë mohuese edhe kur vetë e shohin se po zbulohen varreza masive të shqiptarëve të vrarë e të masakruar! Krimi i parë ka ndodhur në vitin 1999, ndërkaq krimi tjetër është mohimi dhe refuzimi i ekzistencës së varrezave masive. Gjithsesi, nuk jam i befasuar me sjelljet e Beogradit zyrtar”, tha ai.

Advertisement
Advertisement
Advertisement