Analisti Sadri Ramabaja, duke komentuar kërkesën e LDK’së për balancë demokratike në ndarjen e pushteteve në bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje, i dha një ‘paralajmërim’ partisë së Lumir Abdixhikut.
Ai thotë se LDK do të ketë pasoja nëse nuk e pranon një president “nga jashtë”.
“LDK-ja synon Presidencën, duke pretenduar që, në momente krizash politike dhe kushtetuese, ta shndërrojë atë në një qendër të dytë të legjitimitetit shtetëror. Një qasje e tillë rrezikon ta fusë Republikën në një cikël të ri krizash institucionale. Fryma e Kushtetutës kërkon një president konsensual, që gëzon besimin e gjerë politik dhe qytetar”.
Sipas Ramabajës, LDK mund ta nxjerrë vendin nga kriza politike duke propozuar emra nga “bota akademike” apo ajo “diplomatike”.
“LDK-ja ka një mundësi historike që, duke propozuar dy ose tre figura me integritet, kredibilitet dhe përgatitje profesionale – qoftë nga bota akademike apo ajo diplomatike – të hapë rrugën për tejkalimin e kësaj krize politike. Në të kundërt, mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt do të bëhej pothuajse e pashmangshme, me pasoja politike që mund të rezultojnë të kushtueshme sidomos për vetë LDK-në”.
Sipas tij, LDK është përballë dy opsioneve.
“Urtësia popullore e përmbledh këtë situatë me pak fjalë: “Zgjidh e merr””.