Dokumente të publikuara së fundmi e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, duke sugjeruar se ai e kishte diskutuar mundësinë që organi më i lartë i futbollit botëror të lidhej drejtpërdrejt me projektin e dështuar të Superligës Evropiane.
Sipas dokumenteve, në tetor të vitit 2020 janë zhvilluar bisedime të avancuara për krijimin e një kompeticioni të ri me emrin “FIFA Super League”, si rezultat i një partneriteti 12-vjeçar mes FIFA-s dhe organizatorëve të projektit, përcjell “Gazeta Express”.
Marrëveshja parashikonte që FIFA të kishte rol të rëndësishëm në drejtimin e kompeticionit, përfshirë ndikim në formatin, kalendarin dhe menaxhimin e tij.
Nëse plani do të realizohej, ai do ta ndryshonte rrënjësisht strukturën e futbollit evropian, duke e anashkaluar UEFA-n dhe federatat kombëtare në favor të një gare të re të drejtuar bashkërisht nga FIFA dhe klubet elitare.
Dokumentet flasin gjithashtu për krijimin e një versioni për femra dhe për ndryshime të mëdha në kalendarin ndërkombëtar të futbollit.
Zbulimet bien ndesh me deklaratat publike që Infantino i bëri në vitin 2021, kur ai doli kundër Superligës Evropiane pas reagimit të ashpër të tifozëve, klubeve dhe institucioneve të futbollit.
Publikimi i këtyre dokumenteve ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrimin e tij të vërtetë ndaj projektit.
Ky zhvillim vjen në një moment të vështirë për presidentin e FIFA-s, i cili së fundmi është përballur edhe me kritika të forta për projektin e dështuar të komercializimit të të ardhurave të Kupës së Botës, duke e shtuar presionin mbi drejtimin e tij në krye të institucionit. /Gazeta Express