Me betimin e Albulena Haxhiut si deputete e legjislaturës së re, vendi nuk ka më ushtrues detyre të Presidentit dhe as President, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
“Avni Dehari është kryesues. Ai nuk mund të jetë ushtrues detyre i Presidentit. Me situatën e sotme nuk ka më ushtrues detyre të Presidentit sepse Albulena dha betimin për deputet të Kuvendit. Pra, Republika e Kosovës aktualisht është pa President të Republikës”, ka thënë Hasani për Express pak më herët.
Por, kur merr fund mandati i kreut të Kuvendit, sipas Rregullores së Kuvendit.
Neni 14 i saj, që flet për mandatin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, thotë se ata vazhdojnë punën deri në seancën konstituive.
“Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur shpërndahet, Kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit”, thotë Rregullorja e Kuvendit të Kosovës./Express/